3.1 C
Pristina
22 Janar, 2021 - 01:43

Kina po modifikon artificialisht kushtet e motit, a duhet të shqetësohemi?

Nga Adam Minter “Bloomberg”

Muajin e kaluar, 16 “raketa artificiale të përmirësimit të shiut” u lëshuan nga pjesa e pasme e një kamionçine, 480 km në jug të Pekinit. Operacioni, u urdhëruar nga Byroja Meteorologjike Juye e Qarkut në përgjigje të një thatësire të gjatë në zonë, thuhet se ishte i suksesshëm. Gjatë 24 orëve të ardhshme, zona pati më shumë se 50 mm reshje, gjë që sipas zyrtarëve lokalë e zbuti disi thatësirën, uli rrezikun e zjarreve në pyje dhe përmirësoi cilësinë e ajrit.

Në pamje të parë duket si një përrallë. Por për dekada, Kina ka pasur një prej programeve më të përparuara të modifikimit të motit në botë.

Në përgjithësi, synimet e tij kanë qenë modeste:më shumë reshje shiu në vendet që goditen shpesh nga thatësira, më pak breshër shkatërrues në tokat bujqësore, dhe më shumë dritë në qiell gjatë aktiviteteve të mëdha kombëtare.

Por ajo modesti ka filluar t’i lërë vendin synimeve më ambicioze. Në fillim të këtij muaji, Kina shpalli planet për të zgjeruar aftësitë e saj të prodhimit artificial të shiut,për të mbuluar në gati 60 për qind të vendit deri në vitin 2025.

Detajet janë skematike, por ka një frikë në rritje ne lidhje me përdorimet e mundshme ushtarake të këtyre aftësive dhe efektet e tyre mbi një klimë tashmë në ndryshim. Për Kinën dhe botën, këto shqetësime duhet që të adresohen sa më parë.

Njerëzit kanë ëndërruar për mijëvjeçarë kontrollin e motit. Por vetëm në vitin 1946 shkencëtarët në kompaninë amerikane “General Electric Co”, zbuluan se akulli i thatë mund të krijojë reshje kur ndërvepron me retë në kushte të caktuara.

Nga viti 1953, gati 10 për qind e territorit tokësor të SHBA-së ishte pjesë e programin për “mbjelljen” e reve. Dymbëdhjetë vjet më vonë, qeveria amerikane nisi të shpenzonte çdo vit miliona dollarë për kërkimet mbi modifikimin e motit, dhe 15 kompani të tjera kishin nisur operacionet e mbjelljes së reve në 23 shtete të SHBA-së.

Megjithatë, programi nuk kishte të bënte vetëm me reshjet e shiut. Gjatë Luftës së Vietnamit, ushtria amerikane e përdori këtë teknologji për të frenuar lëvizjet e trupave armike, dhe për të zvogëluar efektivitetin e sulmeve anti-ajrore.

Këto përdorime i alarmuan aq shumë politikë-bërësit, saqë ata ushtruan presion për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtare për t’i dhënë fund “luftës mjedisore”. Në vitin 1978, hyri në fuqi Konventa për Ndalimin e Përdorimit Armiqësor të Modifikimit të Motit.

Edhe pse Kina e ratifikoi atë në vitin 2005, interesi i saj për të kontrolluar motin dhe mjedisin nuk u dobësua.

Katastrofat natyrore si breshëri dhe përmbytjet, përbëjnë më shumë se 70 për qind të dëmit vjetor të këtij vendi nga katastrofat. Për këtë arsye, qeveria kineze mendon që të ndërhyjë më shumë për të parandaluar ngjarje të tilla.

Në dekadat e fundit, ndërsa vendi është bërë më i pasur, projektet me ndikim global siç është Diga e Tre Grykave, janë bërë një zgjidhje e preferuar. Për krahasim, modifikimi i motit është relativisht më pak i kushtueshëm.

Në vitet 1980, qeveria kineze filloi të bënte investime të rëndësishme mbi sjelljen e reve dhe fusha të ngjashme. Përparimet në gjithçka, nga satelitët tek raketat, i nxitën më tej përpjekjet në këtë fushë, edhe pse prova përfundimtare shkencore mbi efektivitetin e “mbjelljes” së reve u shfaq vetëm në 2018 në Idaho të SHBA-së, dhe jo në Kinë.

Gjithsesi qeveria komuniste pretendoi arritjen e një suksesi të madh në vitin 2008, kur Pekini lëshoi 1.110 raketa që largonin shiun, për të siguruar që ceremonia e hapjes Lojërave Olimpike të ishte me mot të mirë. Në fakt moti ishte vërtet i mirë në ato ditë, edhe pse shkencëtarët në Perëndim kanë dyshime nëse meritë për këtë kishin raketat “anti-shi”. Deri në vitin 2015, Kina kishte programe për krijimin artificial të reshjeve shiut dhe shmangien e breshrit në 30 provinca të vendit, duke punësuar në to rreth 35.000 njerëz.

Suksesi me to i ka shtuar shumë ambiciet në këtë fushë. Në vitin 2017, Pekini prezantoi një sistem të modifikimit të motit që kushton mbi 175 milionë dollarë, dhe që është i projektuar të garantojë më shumë reshje shiu në një rajon që përbën rreth 10 për qind të territorit të vendit.

Një vit më vonë, u raportua se kompanitë kineze të hapësirës ajrore dhe ato të mbrojtjes, po ndërtonin mijëra pajisje të vogla që synojnë të prodhojnë sasi të mëdha reshjesh përgjatë pllajës tibetiane,që ka madhësinë e Alaskës në SHBA.

Njoftimi i fillimit të këtij muaji ishte një progres i parashikueshëm, edhe pse ai ka shkaktuar një skepticizëm të madh midis shkencëtarëve. Vendet e tjera aziatike shqetësohen gjithnjë e më shumë se programi i Kinës mund të ndikojë negativisht në sezonin e musoneve dhe shirat e rregullt që kanë garantuar ushqyerjen e njerëzve të tyre për mijëvjeçarë.

Edhe pse shkenca që qëndron prapa programeve të tilla është ende e diskutueshme, ky nuk është një shqetësim i pajustifikuar. Në një rajon ku po rriten tashmë tensionet për qasjen tek uji, modifikimi i motit në rastin më të mirë do të duket si presion diplomatik; dhe në rastin më të keq si një armë.

Tani për tani, e vetmja marrëveshje ndërkombëtare që mund të adresojë disi shqetësime të tilla është konventa për modifikimin e mjedisit. Por ai traktat vlen vetëm për modifikimet “armiqësore”, jo ato “paqësore”, që Kina dhe vendet e tjera do të pretendojnë se janë pikërisht për veten e tyre.

Një nga mënyrat për t`a adresuar këtë problem, është që modifikimi i motit të bëhet pjesë e diskutimit mbi ndryshimin e klimës. Madje për sa kohë që teknologjia po përdoret për të balancuar efektet negative të ngrohjes globale, ajo është tashmë pjesë e debatit.

Por bisedimet e ardhshme për këtë çështje duhet të dekurajojnë qasjet e njëanshme. Ato duhet t’i japin përparësi përdorimeve të përbashkëta të programeve të tilla, përfshirë ndarjen e të dhënave, midis të gjitha vendeve.

Të bindësh Kinën dhe të tjerët, që të ndajnë teknologjinë dhe qëllimet e tyre, nuk do të jetë e lehtë. Por nëse bota nuk e trajton këtë problem të pritshëm, ajo mund të përballet me disa re të zymta në të ardhmen.

Të fundit

Të tjera nga rubrika