0.6C
Pristina
28 Janar, 2021 - 13:46

Këshilltari ligjor i VV’së i quan dashakeqe interpretimet se Kurti s’mund të kandidojë

Këshilltari ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu i ka cilësuar si dashakeqësi interpretimet se kryetari i VV’së, Albin Kurti nuk do të mund të kandidojë për deputet pas publikimit të plotë të Aktgjykimit të Kushtetueses.

Sallahu ka thënë se devijimi i përmbajtjes së Aktgjykimit tek një element është dashakeqësi.

Devijimi i krejt përmbajtjes së këtij Aktgjykimi të zyrtarizuar sot tek një element që nuk ka qenë objekt as i kërkesës sonë e as Gjykatës Kushtetuese nuk është gjë tjetër veçse dashakeqësi.Këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtesese nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast”, ka shkruar ai në Facebook.

Këshilltari ligjor i VV’së ka thënë poashtu se çdo kufizim I autoriteteve përkatëse për të mos kandiduar është në kundërshtim me parimin e drejtës së fituar.

Në lidhje me këtë, kandidatët e tjerë që jane dënuar me dënim me kusht në vitin 2018 janë lejuar të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare.

Në atë kohë kufizimi nuk ka ndodhur për shkaqe që tashmë dihen e që janë në përputhje me ligjet në fuqi. Nga ana tjetër, kur ndodh, kufizimi për të mos kandiduar do të duhet të jetë “kufizim i pandërprerë” për aq sa janë afatet ligjore e kushtetuese.

Përndryshe çdo veprim tjetër nga autoritetet përkatëse, do të ishte në kundërshtim me parimin e drejtës së fituar, i cili është parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare publike dhe i rrënjosur si element i sundimit të ligjit brenda përmbajtjes së rendit kushtetues të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Të vepruarit ndryshe do të ishte në kundërshtim flagrant me nenin 7, 33 dhe 45 të Kushtetutës së Kosovës si dhe me konventat dhe aktet ndërkombëtare përkatëse. Andaj rasti i tillë nuk mund të vlejë për kandidatët që kanë pasur vendime për dënime alternative”, ka shkruar Sallahu.

Çështja lidhur me kushtetushmërinë e votimit të Qeverisë Hoti u dërgua në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak se për këtë qeveri më 3 qershor kishte votuar Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se një vit burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese konstaton se për shkak që vota e Arifit ishte e pavlefshme, Qeveria Hoti nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht 61 vota.

Kësisoj, Kushtetueseja thotë se presidenti i Republikës duhet të shpallë zgjedhjet e reja të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga dita e shpalljes së tyre.

Të fundit

Të tjera nga rubrika