Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas samitit të sotëm që u mbajt në Bruksel.
Ai në një postim në Facebook, tha se presidenti francez, Emmanuel Macron nuk është i vetmi që e bllokon procesin e liberalizimit, pasi sipas tij, bllokues është edhe presidentja Vjosa Osmani.
Mustafa tha se sot Osmani nuk është takuar me bllokuesin e liberalizimit, Emmanuel Macron, siç u raportua, por ‘në Bruksel u takuan dy bllokuesit e liberalizimit’.
“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua.
Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Brukse. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut”, ka shkruar Mustafa.
Madje, Mustafa akuzoi Osmanin, Shpejtim Bulliqin e ‘piromanët e tyre’ që në vitin 2015 dhe 2016 e penguan ratifikimin si kusht të liberalizimit, ‘duke shpikur të pavërteta’.
“Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit”, u shpreh Mustafa.