fbpx
-0.6 C
Pristina
E hënë, 30 Janar, 2023

Intervistë me Iuftëtarin ukarinas që humbi syrin dhe dorën në betejë: «Heroizmi mund të mësohet, është një efekt anësor i profesionalizmit»

- Advertisement -

Duhet Lexuar

Njëzetetetë vjeçari, Illia Samoilenko, alias “Gandalf,” është një legjendë e gjallë në Ukrainë. Në vitin 2015, si një 21-vjeçar, studenti i historisë, iu bashkua regjimentit “Azov”. Në atë kohë, kjo u krijua si një njësi paraushtarake – gjithsesi edhe nga ekstremistët e krahut të djathtë – për të luftuar forcat pro-ruse në Donbass. Një rast luftimi, një granatë e goditi dhe Samoilenko humbi dorën e majtë dhe syrin e djathtë. Që atëherë ai ka mbajtur një protezë titani dhe një sy prej xhami si dhe një plagë në faqen e djathtë të tij.

Mirëpo, kjo fatkeqësi nuk e pengoi atë të luftonte në front. Kështu Samoilenko qëndroi për katër muaj si zëvendëskomandant i “Azovit” me shokët e tij në Mariupolin e rrethuar. Përfundoi në Moskë si rob lufte dhe, pas disa javë izolimi, u këmbye me të burgosur rusë të rangut të lartë. Sot Samoilenko punon si zëdhënës dhe ambasador i regjimentit “Azov”. Pikërisht, duke qenë në këtë funksion ai udhëtoi në WEF – Davos.

- Advertisement -

Intevistoi: Ann Guenter, për portalin “20minuta”

Illia, çfarë po bën në Davos?

Si ambasador i njësisë sime, unë paraqes mënyrën se si “Azov” mendon dhe punon në terren – një mundësi e shkëlqyer kjo për të argumentuar. Njëkohësisht, dua të them se nuk jam ëndërrimtar: ne jemi në luftë dhe duhet të kombinojmë resurset dhe përpjekjet për mbështetjen e luftës.

Pse batalioni “Azov” ka një imazh nazist?

- Advertisement -

Ne kemi një reputacion kontrovers dhe kjo për shkak të viteve të shkuara jo aq transparente, 2014/15. Një kohë kaotike kjo, kur nuk kishte asnjë strukturë dhe asnjë organizim të mirëfilltë në “Azov”. Shto këtu edhe propagandën ruse, e cila krijoi shumë mite dhe gënjeshtra për regjimentin tonë.

Çfarë do të thuash me këtë?

Dua të them që vlerat themelore të “Azovit” janë lavdia, nderi dhe e vërteta. Si njësi ushtarake, pikëpamjet tona politike përputhen me ato të qeverisë ukrainase. Ose, thënë më qartë, ne jemi apolitik, pavarësisht se çfarë Bullshit propagandon Moska.

- Advertisement -

Sa i përket regjimentit “Azov”, unë jam i lehtësuar që shumë njerëz në Perëndim i kanë hapur sytë dhe janë duke e parë realisht regjimentin tonë – edhe pse ky më del të jetë një lehtësim i hidhur dhe i ëmbël, njëkohësisht. Sepse, qindra vëllezër të mi dhanë jetën për të korrigjuar imazhin e “Azovit” në botën e lirë dhe për të treguar se prej vitesh ne kemi qenë një njësi ushtarake shumë profesionale e Gardës Kombëtare të Ukrainës.

Nëse “Azov” është apolitik, pse disa luftëtarë të “Azov” kanë tatuazhe me kryqin e thyer dhe simbole të tjera naziste?

Në këtë rast, rëndësi të madhe luan ironia e njohur ukrainase. Ka shumë auto-ironi te ne. Në shkurt të vitit 2022, Rusia pati filluar operacionin “denazifikimi i Ukrainës” dhe me këtë veprim ajo hapur i quante të gjithë ukrainasit “nazistë”. Tatuazhet që thoni ju, ishin një përgjigje sfiduese ndaj kësaj marrëzie. Nuk fshehët asnjë ideologji pas gjithë kësaj. Në fakt, çdo ditë Rusia na tregon se kush është fashist këtu.

Por tatuazhet janë problematike, ato ende i keni

Po, do të ishte marrëzi ta mohonim këtë. Por, brenda radhe tona, ne nuk jemi duke kultivuar asnjë ideologji radikale apo ksenofobike, siç pretendon Moska. Ne trajnojmë udhëheqës të mirë ushtarak, sepse kjo i përgjigjet sakrificës dhe përkushtimit për vendin dhe popullin. Si ushtarë, jeta jonë nuk është e jona. Ne kemi lënë jetën tonë në dispozicion për shoqërinë. Kështu mendon një luftëtar i vërtetë, i cili ndryshon rrënjësisht nga ushtari rus, i cili ka ardhur në tokën tonë për të grabitur territore dhe resurse që nuk i takojnë. Ata shkatërrojnë qytete dhe fshatra të Ukrainës, pa ndonjë qëllim strategjik. Thjesht kryejnë krime lufte. Moska as që po e fsheh faktin se po përpiqet të kryejë një gjenocid të ftohtë mbi civilët ukrainas.

Si një ushtar i regjimentit “Azov” a ndiheni përgjegjës që e kaluara e regjimentit tuaj nxiti narrativen ruse të “nazistëve ukrainas”?

Reputacioni i një numri batalionesh vullnetarësh ukrainas ka vuajtur nga fakti se në radhët e tyre ka pasur figura të errëta me motive të paqarta. Që atëherë ne kemi punuar sistematikisht për organizimin dhe legjitimitetin e regjimentit. Kemi krijuar një njësi ushtarake efikase kushtuar vendit dhe popullit të tij – edhe pse propaganda ruse na portretizon si mercenarë të NATO-s të varur nga droga, përdhunues dhe grabitës. Vërtet, propaganda ruse çmendurisht është efektive në këtë pikë. Por sulmi ndaj Ukrainës i ka hapur sytë botës.

Ju mungon lufta?

Disi, po. Por tani kam përgjegjësi të tjera. E dini, është një nder i madh si luftëtar t’i shërbesh, jo vetes, por shoqërisë dhe të mos presësh asgjë në këmbim. Heroizmi mund të mësohet, është një efekt anësor i profesionalizmit.

E shihni veten si hero?

Sigurisht që jo.

Ju jeni, por për të tjerët.

E di dhe e respektoj këtë. Por heronjtë janë vëllezërit e mi që po luftojnë tani atje. Të gjithë kemi një angazhim të vazhdueshëm dhe duhet të vazhdojmë derisa të fitojmë.

Dikur keni thënë se i respektoni disa njësi luftarake ruse, sepse ato ende kanë nder. Mund ta sqaroni këtë?

Kjo që them, mund të mos më bëjë të dashur për të tjerët, por nuk mund të gënjej. Disa njësi ruse punojnë shumë profesionalisht dhe sillen me nder. Fatkeqësisht, nga ushtria milionëshe ruse këto janë disa përjashtime. Për këtë arsye statistikisht janë të papërfillshme.

Përktheu: Pal Shtufi

- Advertisement -

Të fundit

Chollet dhe Escobar: Si vendi më pro-kosovar në botë, SHBA garanton popullin e Kosovës se Kushtetuta nuk cenohet me Asociacion

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe...
- Advertisement -

Më shumë

- Advertisement -