Përkundër mohimeve të vazhdueshme, po vazhdon saga e dizajnerit të modës Valdrin Sahitit. Kësaj here, palët janë lëshuar në veprime ‘ekstreme’ për të dhënë të vërtetën e plotë mbi rastin. Çka po ndodhë?
Disa ditë më parë, u raportua se dizajneri Valdrin Sahiti ishte zënë në posedim të substancave narkotike nga autoritetet turke. Por, pasi kishte folur avokati i tij, Besnik Berisha, duke mohuar këto pretendime duket se çështja ishte mbyllur njëherë e mirë.
Berisha nuk e kishte mohuar se Sahiti kishte pasur kontakt me autoritetet turke, por sipas tij kjo kishte ndodhur shkaku i një keqkuptimi që kishte pasur me çanëtn e tij, të cilën e kishte harruar në aeroplan.
“… ai ka vijuar rrugën normalisht dhe keqkuptimi lidhur me çantën e tij që e kishte harruar në aeroplan është sqaruar me autoritetet turke dhe nuk ka asnjë çështje të ngritur kundër tij në shtetin e Turqisë dhe aq më pak për posedime të paautorizuar të substancave narkotike siç është raportuar,” – ishte shprehur z. Berisha.
‘Eskalimi’
Mediumi Kallxo i kishte identifikuar si “informacione të rreme” raportimet se Sahiti ndodhej në paraburgim në Turqi, gjë që si duket provokoi eskalim të mëtejmë të kësaj ‘lufte’.
Një gjë e tillë duket se ka nxitur një varg shkrimesh nga ana e gazetarit Vehbi Kajtazit që pretendon se skandali do të thellohet edhe më tej. Por, edhe nxjerrjen e një dokumenti.
“Çështja tash shtrohet, si arriti shteti ta nxjerr nga paraburgimi këtë diplomat? Skandali, do të thellohet kur të vërtetohet se gjithë shteti u implikua për ta nxjerr nga burgu.” – shkruante z. Kajtazi në profilin e tij në Facebook duke ndarë edhe një dokument.
Dokumenti
Dokumenti në fjalë është publikuar nga mediumi i quajtur “Kosova News” dhe i cili deri më tash nuk është identifikuar si ‘informacion i rremë’.
Ky dokument sipas mediumit është nga Zyra e Policisë Turke në Aeroportin e Stambollit dhe mban datën 11 prill 2023. Aty pretendohej se dëshmoheshin deklarimet fillestare se Sahiti përnjëmend ishte arrestuar në Turqi.
Pa përmendur dokumentin në fjalë, një tjetër përgjigje erdhi nga avokati Berisha që e mori në prononcim përmes mediumit të tij të apostrofuarin Valdrin Sahiti.
“I siguroj të gjithë të interesuarit se lajmi për paraburgosjen time në Turqi, siç e ka deklaruar avokati Besnik Berisha është fake news. Unë asnjëherë s’kam qenë i paraburgosur. Për korrektësi ndaj kujtdo që po i servohen lajme të pavërteta, po i dërgoj kopjet e vulës së pasaportës time që e vërteton kohën e hyrjes në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kam fluturuar nga Prishtina në mbrëmjen e datës 10 prill, ndërkaq në Dubai kam arritur më 11 prill. Të gjitha deklarimet e avokatit lidhur me këtë çështje janë rrëfimi im dhe nuk ka asgjë të vërtetë në lajmin se unë kam qenë i paraburgosur në shtetin e Turqisë,” – tha Sahiti për Sinjalin.
Nacionale ka dërguar pyetje në Policinë e Turqisë për ta kuptuar nëse z. Sahiti ka qenë i arrestuar apo ndaluar për rastin por deri në këtë moment nuk ka marrë përgjigje.
Në anën tjetër, as Ministria e Jashtme e Kosovës duket se nuk ka marrë ndonjë konfirmim për rastin deri në këtë fazë.
Vehbi Kajtazi në një postim tjetër që besohet të jetë i lidhur me rastin e Sahitit, ka paralajmëruar dje se do të zbulonte një skandal të madh.
Pse kaq i rëndësishëm Sahiti?
Më i rëndësishëm se dizajneri i modës është pasaporta e tij diplomatike – që i ishte dhënë nga ana e ish-shefes së diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stubllas.
Rreth një vit më parë, presidentja Osmani ishte parë në një sfilatë mode me të apostrofuarin. Presidentja e vendit është raportuar se e ka përdorur Sahitin si stilist. Megjithatë, shumë raportime kanë thënë se presidentja Osmani e kishte pajisur z. Sahiti me pasaportë diplomatike gjë që nuk qëndron.