5 C
Pristina
Sunday, April 21, 2024

Hovenier për suImet e NATO-s: Të heqim çfarëdo dyshimi, bota ishte dëshmitare e spastrimit etnik, përdorimi i forcës i domosdoshëm

- Advertisement -

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në një konferencë të Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës, ka thënë se përdorimi i forcës ishte edhe i domosdoshëm edhe legjitim nga NATO gjatë fushatës së bombardimit në vitin 1999 për të ndalë spastrimin etnik kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ai tha se në këto ditë do të dëgjohen shumë narrativa për këto ngjarje dhe për këtë ai shpalosi qëndrimin zyrtar amerikan.

- Advertisement -

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi sepse në ditët në vijim do të dëgjojmë një numër narrativash për sa i përket ngjarjeve të 25 viteve më parë. Pra, që të jap një qëndrim definitiv, jo nga Jeff Hovenier, por nga ambasadori i SHBA-së, një qëndrim zyrtar të SHBA’së, pra Qeveria ime do të ketë mundësi të sqaroj edhe më mirë në ditët në vijim, por po e bëj tash për të shmangur çfarëdo lloj dyshimi sa i përket ngjarjeve para 25 vjetësh”, tha Hovenier, duke vazhduar me sqarimin.

“Pra, para 25 vitesh, bota ishte dëshmitare e një fushate të tmerrshme të spastrimit etnik nga makineria e Millosheviqit këtu në Kosovë. E mbaj mend personalisht dhe e që shumë prej jush e dini kur u përmbyllën bisedimet në Rambuje. Unë isha në Paris derisa po ndodhte. Kishim shteruar të gjitha përpjekjet dhe rrugët diplomatike për të ndalë brutalitetin e regjimit të tmerrshëm të Millosheviqit. Siç e tha presidenti Clinton në vitin 1999, një ditë para se të fillonte operacioni i forcave aleate: Nëse presidenti Millosheviq nuk dëshiron të bëjë paqe, ne kemi vullnetin për të ndaluar kapacitetin e tij për të ushtruar luftë në Kosovë. Tani e shënojmë këtë 25 vjetor në këtë bashkëpunim me solemnitet. Mbajmë mend me qindra-mijëra njerëz që kishin braktisur familjet e tyre. Ne shprehim keqardhje për humbjen e shumë jetëve të civilëve, duke përfshirë ata që kanë vdekur gjatë operacionit të NATO-s pas shterimit të të gjitha alternativave për të ndalë gjakderdhjen, NATO kishte imperativin moral për të vepruar dhe vepruam. Përdorimi i forcës ishte edhe i domosdoshëm edhe legjitim, duke marrë parasysh krizën humanitare që bota po shihte në kohë reale siç kishte shpjeguar presidenti Clinton. Po citoj: “Ne vepruam për të mbrojtur mijëra qytetarë të Kosovës nga një ofensivë luftarake policore dhe veprojmë për të ndalë një luftë më të madhe, veprojmë për të qëndruar në unitet me të gjithë aleatët tonë për paqe”.

- Advertisement -

Hovenier tha se operacioni i NATO-s ktheu refugjatët pa dallim etnie në shtëpitë e tyre dhe se përpjekjet e tyre ishin për kthimin e paqes.

“SHBA kanë mbështetur NATO-n për 78 ditë bombardime për të ndalë regjimin e Millosheviqit në spastrimin etnik, duke kontribuar edhe me presione diplomatike. Operacioni i tillë shtroi rrugën për përfundimin e armiqësisë dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve nga të gjitha etnitë që e quajnë shtëpi Kosovën. Të gjitha përpjekjet tona ishin në përpjekje të një vizioni të përbashkët, afatgjatë të një Europë që është e tërë, e lirë dhe në paqe. I keni dëgjuar këto fjalë. Ky ka qenë parimi udhëzues për SHBA-në në angazhimin tonë edhe pas Luftës së Ftohtë. Ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur 25 vjet më parë të mos ndodhin më kurrë. Mbesim të përkushtuar që të mbështesim rolin stabilizues që kryhet nga Forca e NATO-s në Kosovë, KFOR”.

Hovenier ka përkujtuar trimërinë e atyre që qëndruan kundër spastrimit etnik dhe atyre që vazhdojnë ta ruajnë paqen sot, duke ritheksuar vizionin të Europës së tërë, të lirë dhe në paqe.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -