12.3 C
Pristina
E mërkurë, 9 Tetor, 2024

Hasani: Kurti s’ka kundërshti serioze me Perëndimin, ja kujt i shkon në favor njohja de facto

- Advertisement -

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se njohja de facto në planin franko-gjerman shkon krejt në favor të Serbisë, në rast të nënshkrimit të një marrëveshjeje, e cila sipas tij nuk do t’i ndalte përpjekjet e Beogradit për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës.

- Advertisement -

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetutese tha në një intervistë për Express se kjo qasje është “e rrezikshme dhe e pavend”. Hasani thotë se njohja de facto nënkupton që “një entitet territorial njihet si shtet përkohësisht dhe për arsye pragmatike”. Sipas tij, kjo do ta përligjte sovranitetin serb ndaj Kosovës.

Për këtë arsye, Hasani thotë se me planin franko-gjerman “shansat janë zero” që pavarësia e Kosovës të njihet nga pesë vendet e Bashkimit Europian që ende s’e kanë bërë këtë. Ai tha se njohja nga Serbia “është e domosdoshme” për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si anëtare e barabartë e saj.

- Advertisement -

close

volume_off

Anëtarësimi i Kosovës në OKB, Hasani thotë se mund të ndodhë vetëm nëse aleatët arrijnë marrëveshje me rusët për ndonjë çështje globale gjeostrategjike. Kina, sipas tij, “mund të abstenojë”.

- Advertisement -

Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë. Pavarësisht se ka mbi 100 njohje dhe një mendim të GJND-së se pavarësia nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, vendi po përballet me telashe që sipas shumëkujt vijnë nga fakti se Kosova nuk është një shtet anëtar i OKB-së. Sa ia vështirëson “jetën” Kosovës fakti që nuk është anëtare e familjes botërore të kombeve?

Enver Hasani: Vështirësitë nuk vijnë për shkak që nuk jemi anëtarë të OKB-së, por sepse nuk jemi të njohur de jure nga shteti prej të cilit jemi shkëputur, përkatësisht nga Serbia. Kjo njohje është e domosdoshme për integrim të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si anëtar i barabartë i saj. Fakti që GJND ka thënë se deklarata e shpalljes së pavarësisë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ka qenë një arritje e madhe, sepse po të kishte thënë të kundërtën ne do t’i kishim pasur punët shumë më keq se sot. Ky mendim ka qenë një kusht i domosdoshëm për rrugëtimin tonë më tutje , por jo edhe një kusht i mjaftueshëm. Kjo për faktin se në atë mendim të sajin, GJND ka treguar qartë se krijimi dhe njohja e shteteve janë çështje fakti, me përjashtime të caktuara. Vështirësitë vijnë, pra, nga fakti se Serbia jo vetëm që nuk na njeh, por edhe bënë fushatë të pandërprerë kundër njohjes eventuale të Kosovë dhe bën përpjekje titanike për të siguruar çnjohjet ekzistuese.

Një pyetje hipotetike, po të kishim një qeverisje efektive dhe me vizion të qartë nga shkurti i vitit 2008, a do të kishim telashe të kësaj natyre. A e ka penguar zhvillimin ekonomik, ngritjen e mirëqenies statusi i padefinuar ndërkombëtarisht?

Enver Hasani: Nuk ka qenë problemi te qeverisja e mirë ose e keqe, as nuk është aty esenca e ngecjes sonë në zhvillim, por konjukturat e pafavorshme ndërkommbëtare që janë krijuar në vazhdimësi nga dita e shpalljes së pavarësisë e tutje, me kuptim në rend të parë forcimin e autokracisë ruse dhe kineze dhe sfidimin e supremacisë evro-atlantike në Lindje të Mesme dhe në Azinë juglindore dhe të largët. Statusi i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë ka qenë i tillë që ka ofruar pak shpresë për të qenë lartë në agjendën e miqve tanë ndërkombëtarë karshi Serbisë, e cila, në ndërkohë, ka fituar investime dhe ngritje të imazhit të saj ndërkombëtar për shkak se është parë si i vetmi vend në rajon që strehon interesat ruso-kineze. Agresioni rus në Ukrainë ka intensifikuar këtë rol të Serbisë, të cilin ajo diti ta kthejë tërësisht në favor të saj dhe në dëm të Kosovës, duke ofruar garancione të qarta se do të jetë partner serioz i perëndimit në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Evropës. Kjo ka qenë e kundërt me pritjet e disave në Kosovë.

A ka qenë lehtë e parashikueshme, sipas jush, para 15 vjetësh se Kosova do të përballet me probleme të kësaj natyre, dialogu me Serbinë, gjendja në Veri që përsëri lidhet me Serbinë, apo dukej se me shpalljen e shtetit dhe me gjithë atë mbështetje ndërkombëtare, gjërat do të shkonin në drejtim tjetër?

Enver Hasani: Sigurisht që ka qenë sepse shtetet mosnjohëse do të kenë hezitim të pafund për njohje dhe pranim të Kosovës derisa të ekzistojë pozicioni i tillë serb. Është ditur që Serbia do të punojë në vazhdimësi kundër integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare. Përveç kësaj, në planin e brendshëm, në vazhdimësi ka nxitur telashe që kanë çuar mesazhe në botë se ajo nuk pranon ekzistencën e Kosovës si shtet dhe ka ngritur hezitimet e atyre që nuk na njohin.

Tash ka një mobilizim ndërkombëtar, i krahasueshëm ndoshta vetëm me Konferencën e Rambujesë dhe Bisedimet e Vjenës për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi mbi bazën e një plani franko-gjerman që nuk sjell njohje nga Serbia e as garanci për anëtarësim në OKB. Ku do ta çojë kjo Kosovën nëse ka ujdi?

Enver Hasani: Këtu ndër ne po thuhet se ky plan ka njohjen de facto brenda. Më lejoni të sqaroj sa e rrezikshme dhe e pa vend është kjo qasje, në fakt sa i shumë i shkon në favor Serbisë. Esenca e njohjes de facto është kjo: me këtë njohje, një entitet territorial njihet si shtet përkohësisht dhe për arsye pragmatike nga një tjetër ose nga disa të tjerë; kjo njohje mund të tërhiqet kurdo që njohësi dëshiron dhe kjo ndikon në titullin juridik apo tapinë e sovranitetit mbi territorin e çnjohur në ndërkohë; kjo është kështu sepse te njohja de facto nuk njihet e drejta, por ajo që shihet, përkatësisht pala e njohur konsiderohet si kaçak, ilegal dhe uzurpues i titullit apo tapisë mbi sovranitetin territorial. Ja, kjo është esenca e atyre që mendojnë se njohja de facto është brenda dhe na shkon për shtati: dmth Kosova është një entitet territorial faktik, që është formuar pa të drejtë dhe kurdo mund të zhbëhet sepse nuk gëzon mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar. Për këtë arsye shanset janë zero që vendet, ta zëmë, si Spanja ose Qipro, ndonjëherë ta njohin Kosovën. Nëse Greqia na njeh, apo vendet tjera, ato do t’na njohin për arsye të tjera por jo për shkak se ne arritëm marrëveshje provizore me Serbinë, siç propozohet me planin franko-gjerman.

A keni një ide si mund ta evitojë Kosova veton e Rusisë dhe të Kinës për ta siguruar ulësen në OKB?

Enver Hasani: Kushdo që beson se mund të evitohet një veto e tillë, ka iluzione. Ajo mund të evitohet vetëm nëse aleatët tanë arrijnë marrëveshje me rusët për ndonjë çështje globale gjeostrategjike, sepse Kina nuk paraqet problem të madh ngaqë mund të abstenojë. Për të ndodhur kjo, duhet të ekzistojë njohja de jure e Serbisë. Pa këtë njohje, nuk mund të nisin procedurat e pranimit në OKB dhe as ndonjë valë e re e njohjeve nga shtetet që nuk na kanë njohur.

Pasi që argumenti kryesor për marrëveshjen Kosovë -Serbi është ecja e dy vendeve drejt BE-së, a mund të thuhet se Kosova do ta ketë më të lehtë të bëhet pjesë e BE-së pavarësisht 5 vendeve? Pyetja e njëjtë vlen edhe për anëtarësimin eventual në NATO.

Enver Hasani: Më lejoni të them se në dy vendime të gjyqësorit të BE-së, Kosova trajtohet si entitet territorial që ka kapacitet të kufizuar kontraktues kundrejt BE-së dhe asgjë më tepër. Kjo gjendje nuk ndryshon, pra nuk mund të shoh asnjë shenjë se BE do të mendojë seriozisht për futjen në gjirin e vet të Kosovës, si një shtet sovran dhe i pavarur. Përtej kësaj, këto dy vendime , që lidhen me telekomunikacionin evropian dhe vendin e Kosovës në të, e fusin Rezolutën 1244 dhe mendimin e GJND në një thes, pra si joparagjykuese të statusit të Kosovës. Kjo flet shumë.

Tash kemi një qeveri që është skeptike në raport me ndërkombëtarët. A mendoni se për herë të parë mund të jemi në kolizion me Perëndimin apo edhe Kryeministri Kurti me gjithë rezervat po bashkëpunon me Perëndimin?

Enver Hasani: Unë mendoj se ka bashkëpunim, për aq sa shihet nga jashtë. Nuk shoh që ka kundërshti serioze.

Nëse nuk siguron njohje, a mund të presim së paku në raportet Kosovë-Serbi me planin franko gjerman do të ndërpritet marrëdhënia tokskike dhe destruktive mes dy vendeve?

Enver Hasani: Asnjëherë Serbia nuk do të pushojë përpjekjet për zhbërjen e shtetit të Kosovës!

A guxoni ta bëni një parashikim për atë se ku do të jetë Kosova pas 15 vjetësh?

Enver Hasani: Karl Poper dikund e thotë se, për të parashikuar ardhmërinë, duhet të dihet sasia e dijes në momentin referues kohor. Kjo është një punë e pamundur dhe jo fort e lavdëruar. Do të provoj, megjithatë, me dy fjalë të të them se çfarë mund të ndodhë, me supozim se gjërat vijojnë me këtë koncept që aktualisht dominon. Çdo marrëveshje me Serbinë që nuk ka njohjen de jure brenda përbën problem serioz për shtetësinë dhe pavarësinë tonë./Express

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -