Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti nuk po i përfaqëson interesat e qytetarëve të vendit, prandaj është detyrë e partive të opozitës që të bashkohen dhe ta ndalin degradimin.
Haradinaj shtoi në Rubikon se koalicioni parazgjedhor i nënshkruar me 17 janar ndërmjet AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, i jep vendit shpresë për të ardhmen.
”Meqenëse po vlerësojmë se qytetarët e Kosovës janë të papërfaqësuar, pra nuk po i përfaqëson, nuk është kjo qeveria e tyre që kujdeset si më jetu ata më mirë, nuk po i përfaqëson drejt interesat tona integruese, e më tutje të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe po i lufton kategoritë e shumta të vendit, ne kemi vlerësu që është detyrë e jona të bashkohemi, ta ndalim këtë degradim të vendit, t’i japim Kosovës shpresë dhe zhvillim dhe i kemi paraqitur disa pika programore, në deklaratën tonë politike, janë 18 pika programore që janë bazë për ta ecur Kosovën përpara”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.
closevolume_off
Ndërkaq kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se koalicioni AAK-Nisma është një alternativë serioze dhe lajm i mirë për vendin.
”Ne kemi një ribashkim dhe ky është një lajm i mirë për Kosovën, është kërkesë e kohës, njerëzit që ndihen të papërfaqësuar, ka pasiguri në këtë vend, të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur këto dy-tri vite ka nevojë për dinamikë të re të opozitarizmi, ka nevojë për një alternativë të vendosur fuqishëm e cila garanton siguri, jep siguri, jep përvojë dhe e dinamizon jetën politike në Kosovë, i jep mundësi dhe shpresë të gjithë atyre njerëzve që ose ndihen të papërfaqësuar, ose janë të pakënaqur, ose janë të prekur dhe ndihen keq nga kjo qeverisje dhe kjo alternativë, është mundësi e madhe që të bashkohen energjitë pozitive, dhe ky ka qenë qëllimi ynë, të bëjmë një hap drejt koordinimit dhe bashkëpunimit dhe për tu ofruar mundësi edhe grupeve tjera që të ndërtojmë një alternativë e cila do t’i jepte mundësi të reja Kosovës”, tha Limaj.