fbpx
-0.6 C
Pristina
E hënë, 30 Janar, 2023

Hap ordinancën në Cyrih dhe bën projekte për mjekësinë në Kosovë

- Advertisement -

Duhet Lexuar

Dr.med.univ. Qëndrim Zahiri hap ordinancën e tij për Mjekësi Interne dhe të Përgjithshme në Rüschlikon të Cyrihut

Shkruan; Rozafë Rexhepaj
Foto: (Albinfo.ch 2022/ Armend Berisha)
Pas disa vjetëve pune dhe studimi në Austri, dr. Qëndrim Zahiri vendos që bashkë me bashkëshorten të zhvendosen në Zvicër. Ai në Cyrih përfundon specializimin për mjekësi interne. Me 25 nëntor të këtij viti, dr. Qëndrimi ka hapur solemnisht ordinancën e tij private në Rüschlikon të Cyrihut, saktësisht në rrugën Bahnhofstrasse 78. Thotë se për pacientët e tij do të ofrojë një mjekësi kualitative dhe bashkëkohore.
Në dhomën e ndejës në shtëpi, shpeshherë mbrëmjeve kishte njerëz që Qendrim Zahiri nuk i njihte. Megjithatë, kjo nuk e ndalonte të atin e tij që t´u ndihmonte atyre. Dekada më parë, kur Qëndrimi ishte fëmijë, babai i tij punonte si pediatër në spitalin e Ferizajt. Njerëzit që kishin nevojë të mjekoheshin, trokisnin ditë e natë në derën e shtëpisë së familjes Zahiri.
“Idhulli im“, thotë doktor Qëndrimi, sot mjek internist në Cyrih të Zvicrës, kur flet për të atin. Falë përkrahjes së pakursyer të familjes, e në veçanti të prindërve të tij, sot ai ka një karrierë të suksesshme dhe shikon drejt një të ardhmeje të ndritur.
Dr.Qendrim Zahiri me prof.dr. Christoph Meier – Drejtor i Klinikes për sëmundje Interne në Spitalin Universitar të Cyrihut
Dr.Qendrim Zahiri me prof.dr. Christoph Meier – Drejtor i Klinikës për sëmundje Interne në Spitalin Universitar të Cyrihut.

- Advertisement -

Rrugëtimi i Qëndrimit drejt karrierës si mjek
Mjekësia ishte ngulitur në zemrën e Qëndrimit qysh kur ai ishte fëmijë. Kur flet për albinfo.ch, ai kujton babanë e tij që shpeshherë kryente shërbime mjekësore në shtëpinë e tij, madje kur nuk kishte as rrymë, duke punuar nën dritën e qiririt. Kjo vetëm sa ia shtonte atij dëshirën për t´u bërë mjek.
Dr. Qëndrim Zahiri u lind në Komogllavë të Ferizajt, ndërsa shkollimin fillor e të mesëm e përfundoi në këtë qytet, për të vazhduar më pas me studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 2006, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Gjatë studimeve në Prishtinë, dr. Qëndrimit iu dha mundësia të transferohej në Fakultetin e Mjekësisë në Graz të Austrisë, ku diplomoi për Mjekësi Humane, në vitin 2014. Nga aty, ai u zhvendos në Vjenë, ku përfundoi specializimin për Mjekësi Familjare në vitin 2018.

I gjithë ky rrugëtim nuk ishte aspak i lehtë për mjekun kosovar. Ai tregon se gjatë studimeve, krahas ndihmës nga familja, i ishte dashur edhe të vetëfinancohej, çka e bënte të punojë punë të ndryshme, tejet të lodhshme.
“Studimet në një universitet-qytet-shtet evropian për një kosovar që nuk kishte pasur mundësinë të dilte më larg se Tirana e Shkupi, patjetër se ishin sfidë e madhe dhe këtë mund ta përshkruajnë vetëm ata që e përjetuan! Me punë intensive dhe duke pasur ngarkesë edhe çështjen e financave – duke punuar herë si pjatalarës, herë si kamerier në lokale të gastronomisë në Graz, – mund të them lirshëm se jeta në Graz ishte një leksion për mua në kuptimin e plotë të fjalës”, shprehet Qëndrimi kur tregon për peripecitë e jetesës si student në Austri.
Pas disa vjetëve pune dhe studimesh në Austri, dr. Qëndrimi Zahiri vendos që bashkë me bashkëshorten të zhvendosen në Zvicër. Ai në Cyrih përfundon specializimin për Mjekësi Interne.

- Advertisement -

Arsyet e zhvendosjes nga Vjena në Cyrih
Përveç ngritjes akademike-profesionale, për dr. Qëndrimin, primar ishte edhe krijimi i familjes. Vendimin për zhvendosjen në Zvicër ai e mori bashkë me bashkëshorten e tij.
“Ndër arsyet kryesore të ardhjes këtu ishte sigurisht specializimi im, por edhe niveli i lartë i të jetuarit në shtetin helvetik. Po ashtu e kemi vlerësuar shumë edhe pjesëmarrjen e lartë të bashkëkombësve tanë në popullsinë e këtij shteti. Sigurisht që për zhvendosjen u menduam gjatë”, thotë ai.
Me ardhjen në Cyrih, dr. Qëndrimi pati mundësinë të fitonte eksperiencë të madhe në disa spitale, si në Spitalin universitar të Cyrihut, në Klinikën e Kardiologjisë, Emergjencës dhe atë të Mjekësisë së Brendshme.
Ai thotë se kjo i ka hapur dyert për ngritjen e tij në karrierë në shtetin zviceran.
“Pas përfundimit të specializimit, pata mundësinë të punësohem si mjek udhëheqës në një ordinancë private në Bülach, një qytet në afërsi të Cyrihut, aty edhe ku u inspirova dhe vendosa që karrierën time ta vazhdoj në shëndetësinë primare”, thotë tutje Qëndrimi.
Prof.dr. Christoph Meier në hapjen e ordinancës së Dr. Qendrim Zahirit, në Rüschlikon të Cyrihut
Prof.dr. Christoph Meier në hapjen e ordinancës së Dr. Qendrim Zahirit, në Rüschlikon të Cyrihut
Hapja e ordinancës për Mjekësi Interne dhe të Përgjithshme në Cyrih

Qëndrimi, në nëntor të këtij viti, hapi ordinancën e tij private në Rüschlikon të Cyrihut, saktësisht në rrugën Bahnhofstrasse 78. Ai thotë se për pacientët e tij do të ofrojë aty një mjekësi kualitative dhe bashkëkohore.
“Komunikimi dhe përballja e drejtpërdrejtë me hallet dhe ankesat e pacientëve, si dhe shmangia nga jeta stresuese spitalore, ishin faktorët kryesorë që më bënë të orientohem në mjekësinë primare. Ky vendim u jetësua me hapjen e ordinancës sime në nëntor”, thotë ai.
Kur flet për pritshmërinë nga ky hap i tij, dr. Qëndrimi thotë se pret që nga shërbimet që ofrohen pacientët të gjejnë veten e tyre kur kanë nevojë.
“Ne i posedojmë të gjitha mundësitë dhe mjetet teknike medicinale të serive më të reja të brendeve të njohura botërore në këtë drejtim, për t’u mundësuar pacientëve tanë shërbime kualitative. Ne mendojmë të identifikohemi si një ordinancë, ku pacientët mund ta gjejnë veten e tyre. Ne flasim gjuhën e njeriut, e ajo na bën të dallohemi. Bashkëpunimi me mjekë profesionistë të fushave të ndryshme na mundëson ta mbulojmë pothuajse në tërësi spektrin e mjekimit të sëmundjeve të ndryshme”, sqaron mjeku.
Zvicra të ofron komoditet dhe siguri si askund tjetër. Ngjyrimet politike, ekonomike, racore a fetare janë pothuajse inekzistente. Është shtet i mundësive dhe ata që duan të zhvillohen, nuk duhet të hezitojnë të vijnë këtu.

- Advertisement -

Planet për të ardhmen, projekte që pritet të jetësohen në Kosovë
Dr. Qëndrimi nuk do të largohet krejtësisht nga Kosova. Planet e tij përfshijnë shumë projekte, për të cilat ai thotë se po punon që të jetësohen në shtetin ku u lind.
“Krahas ushtrimit të profesionit tim në ordinancën time, vazhdojnë të rrjedhin lumenj mendimet për ta përmirësuar shëndetësinë në atdhe. E kam cekur gjithmonë se dua të kthehem e të kontribuoj në shëndetësinë kosovare. Tani me disa miq i kemi disa projekte në këtë drejtim. Varet edhe nga gjendja politike në vend, por shpresoj që ato do të jetësohen shumë shpejt”, thotë ai.
Sipas dr. Qëndrimit, sistemi shëndetësor kosovar ka nevojë për “infuzion” ekonomik dhe akademik, për të cilin duhet unifikim mbarëkombëtar. Ai shpreson që udhëheqja kosovare të hapë dyert dhe mundësitë për ata që duan të ndihmojnë vendlindjen e tyre për ta ringjallur shëndetësinë.
Mëmëdheu është identiteti ynë kombëtar. Malli për atdhe nuk largohet. Qytetin e lindjes dhe viset tona vazhdoj t´i vizitoj sa herë që më jepet mundësia.

Familja është qeliza e një shoqërie. Shkollimi dhe edukimi i fëmijëve ishin dëshira dhe sfida më e madhe e prindërve të mi. Babai si mjek e nëna si mësimdhënëse, me gjithë ato sfida, ia dolën shumë mirë qëllimit të tyre, ku si produkt u rafinuan katër djem, prej tyre tre mjekë dhe një ekonomist i suksesshëm, të gjithë të diplomuar nga universitetet më të njohura austriake./Albinfo.ch

Për informata shtesë, klikoni në: www.praxisdrzahiri.ch

Foto: (Albinfo.ch/Armend Rexhepi)

- Advertisement -

Të fundit

Deklarata e presidentit Millanoviq për Kosovën, një reagim i ashpër vjen edhe nga partia në pushtet e Kroacisë

Pas deklaratës së presidentit kroat, Zoran Millanoviq, në lidhje me Kosovën, një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga...
- Advertisement -

Më shumë

- Advertisement -