4.8 C
Pristina
25 Janar, 2021 - 01:41

Greqia zgjerohet me 12 milje dhe mbyll gjiret, dizavantazh për Shqipërinë në Gjykatën e Hagës

“Dhurata” e Qeverisë greke për Krishtlindjen është miratimi i vendimit që zgjeron ujëra territoriale të Greqisë nga 6 në 12 milje në Detin Jon, duke nisur nga ishulli pothuajse i pabanuar i Othonoit.

Mediat greke thonë se ky zgjerim tashmë është fakt dhe në arsyetimin e tij, Athina deklaron se mbështetet në Konventën e Detit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të miratuar në vitin 1982.

Me këtë vendim, Qeveria greke i klasifikon si të mbyllura gjiret në Ishujt e Diapontit dhe heq një vijë të drejtë ndarëse të ujërave territoriale që shtrihen deri në 12 milje.

Mediat greke thonë se ky vendim është një mesazh i qartë drejtuar Turqisë me parashikimin ku citohet se “Greqia ruan të drejtën ekskluzive që të bëjë të njëjtën gjë edhe në zonat e tjera gjeografike”.

Por çfarë do të thotë ky vendim për Shqipërinë?

Mbyllja e gjireve dhe zgjerimi me 12 milje interpretohet nga Greqia si zonë automatike ekskluzive e saj, përfshirë këtu edhe burimet e mundshme të gazit dhe naftës që mund të gjenden në tabanin e detit brenda këtij territori.

Mediat greke thonë se ky vendim i hap rrugë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Shqipërinë për këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Por, ky vendim i palës greke mund të dëmtojë interesat e palës shqiptare.

Me zgjerimin në 6 milje dhe me mosklasifikimin si gjire të mbyllura të gjireve në ishujt e Greqisë, përcaktimi i zonave ekskluzive ekonomike mes dy vendeve do të niste nga distanca e 6 miljeve dhe me vijë të lakuar sipas gjireve. Por, me ndryshimet në fjalë diskutimet për zonën ekskluzive ekonomike mund të nisin nga 12 milje për palën greke, me gjire të mbyllura dhe vijë të drejtë, që mund të bjerë ndesh me Konventën Ndërkombëtare të OKB-së përmes njësoj të ishujve grekë me dheun kontinental shqiptar.

Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën e Hagës u ra dakord gjatë vizitës së muajit tetor në Tiranë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias. Dendias përshëndeti dakordësinë e gjetur gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama, ndërsa një ditë më vonë njoftoi nga Athina se adresimi i çështjes tek Gjykata Ndërkombëtare do të bëhej pasi Greqia të zgjeronte ujërat me 12 milje.

Naftë e gaz

“Thembra e Akilit” është zona që ndodhet mes Korfuzit dhe ishujve grekë të Othonoit dhe Erikuzës. Në këtë zonë, në ujërat territoriale të saj, Shqipëria ka të përcaktuar bllokun e kërkimit të hidrokarbureve “Joni 5”, ndërsa Greqia ka të përcaktuar bllokun “Joni 1”, në pjesën e ujërave të saj territoriale. Studime të ndryshme të ndërmarra ndër vite në të dyja këto zona, flasin për rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Deri më tani madhësia gjeografike e bllokut grek shtrihej vetëm në 6 milje nga bregu. Me dyfishimin e kësaj hapësire, ky bllok mund të zgjerohet pothuajse dyfish në Perëndim.

Por, përfitimi më i madh lidhet me zonën Ekskluzive Ekonomike, ose hapësira detare e njohur nga Konventa e OKB-së për Ligjin e Detit, ku një vend i caktuar ka të drejtë ekskluzive të ushtrojë të gjitha aktivitetet, që nga peshkimi dhe deri tek kërkimi i naftës dhe hidrokarbureve në shtratin e detit. Kjo zonë mes Shqipërisë dhe Greqisë mbetet e papërcaktuar.

Manovra greke për t’u zgjeruar në Jon me 12 milje në drejtim veri-perëndim, duke marrë si pikë nisjeje ishullin e Othonoit i jep akses në Kanalin e Otrantos. Në këtë kanal është projektuar kalimi i një segmenti të gazsjellësit “East Med”, që nis nga Izraeli dhe përfundon në Itali.

Me këtë vendim, Greqia përfshin në ujërat e saj një pjesë të mirë të kalimit të këtij gazsjellësi dhe nëse kërkimet dhe nxjerrja e naftës dhe e gazit në dy blloqet joniane rezulton e suksesshme të ketë nën kontroll edhe infrastrukturën e transportit të tyre po në drejtim të Italisë. Pra, në një rast hipotetik, Greqia do të kontrollonte në të ardhmen rrugën më të shkurtër të transportit të naftës dhe gazit që mund të nxjerrë Shqipëria nga blloku “Joni 5”.

Aktualisht, Greqia ka përcaktuar zonën ekonomike ekskluzive vetëm me Italinë, përmes marrëveshjes së arritur së fundmi me Romën, ndërkohë që me Egjiptin është rënë dakord vetëm ndarja për ujërat territoriale.

Çfarë e ka penguar deri më tani Greqinë që të zgjerohet me 12 milje

Greqia e ka ratifikuar Konventën e OKB-së për Ligjin e Detit që në vitin 1995. Megjithëse, Konventa përcakton të drejtën e çdo shteti që të zgjerojë ujërat territoriale deri në 12 milje Greqia vendosi t’i zgjerojë ato me 6 milje, duke pasur një standard, si në lindje në kufi me Turqinë, ashtu edhe në Perëndim.

Vendimi i palës greke reduktonte përplasjet për ujërat territoriale në Mesdheun Lindor me Turqinë. Megjithatë, vendimi grek për të zbatuar këtë Konventë hasi në kundërshtimin e Turqisë, që nga ana tjetër nuk është pjesë e kësaj Konvente.

Po atë vit, Parlamenti turk autorizoi Qeverinë që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, qoftë edhe luftarake që të ndalojë Greqinë në aplikimin e kësaj Konvente në ujërat e diskutueshme mes dy vendeve. Në bazë të këtij autorizimi, Turqia i rezervon vetes të drejtën që të patrullojë me anije luftarake në ujërat që pretendohen nga të dyja vendet.

Tashmë, me vendimin për t’u zgjeruar me 12 milje, Greqia pretendon të tjera hapësira detare në Egje, që gjithashtu pretendohen nga Turqia. Me 12 milje, Greqia do të zotëronte 71.5 për qind të detit Egje, duke e kufizuar Turqinë në kontrollin e vetëm 8.7 për qind të tij, ndërsa pjesa tjetër, prej 19.8 për qind mbesin ujëra ndërkombëtare.

Me këtë vendim Greqia e bën fakt të kryer dhe nuk njeh ekzistencën e një kontestimi as të një shelfi kontinental dhe as atë të hapësirës ajrore, duke lënë në këmbë vetëm regjimin e lundrimit ndërkombëtar, që Athina thotë se mund ta zgjidhë me Ankaranë përmes bisedimeve.

Megjithatë, është e lehtë të parashikohet se vendimi grek nuk do të njihet nga Turqia, që ka kontestuar edhe shtrirjen me 6 milje. Për këtë arsye, edhe në Greqi janë skeptikë për zbatimin në terren të vendimit të palës greke, ku mes qindra komenteve në profilin në rrjetet sociale të Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotaqis të shumtë janë ata që e sfidojnë ta aplikojë këtë ligj në ujërat me Turqinë dhe jo në Perëndim ku kufizohet me Shqipërinë.

Të fundit

Të tjera nga rubrika

error: Përmbajtja mbrohet !!