17.7 C
Pristina
Wednesday, August 10, 2022

Gjukanoviq: “Ballkani i Hapur” mund të përfundojë me gjenocide të reja, i zhduk 4 shtete

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vazhdon ta kundërshtojë iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur” – ani se kryeministri Dritan Abazoviq është shprehur në favor të tij.

Ai thotë se kjo iniciativë është nisur nga Serbia dhe ka për qëllim ndryshimin e kufijve dhe homogjenizimin etnik dhe fetar brenda shteteve të këtij rajoni.

“Bëhet fjalë për një skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së. Që nuk na duhet. Ne kemi nevojë për anëtarësim në BE. Ata që nuk e shohin rajonin tonë në Evropë, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Atyre u pëlqen ideja e ndryshimit të kufijve, homogjenizimi etnik dhe fetar brenda shteteve të zgjeruara. Si zakonisht, çdo gjë nis tradicionalisht nga pala serbe, këtë herë në “botën serbe”. Dhe vazhdon, automatikisht, me të njëjtat zullumqarë të shtetit të madh”, ka thënë presidenti malazez për portalin “Autonomija”.

Madje, Gjukanoviq thotë se “Ballkani i Hapur” përfundon me zhdukjen e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e për më tepër e shpie rajonin në luftë.

“Por është e sigurt se do të kishte përfunduar me luftë dhe disa gjenocide të tjera”, ka deklaruar Milo Gjukanoviq.

Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, që e kanë kundërshtuar “Ballkanin e Hapur”, kanë marrë pjesë për herë të parë si vëzhgues në samitin e kësaj iniciative rajonale që u mbajt në Ohër me 7 dhe 8 qershor.

Kosova mbetet i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor që në asnjë formë nuk është bërë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, derisa kryeministri Albin Kurti thotë se Kosovës s’i duhet kjo iniciativë pasi është nisur nga Serbia dhe synon ta zëvendësojë Procesin e Berlinit.

Të fundit
Lajme të lidhura