Bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë shënuar rritje të të hyrave në vitin 2022 në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2022 bankat fituan 140.3 milionë euro apo mbi 20 milionë euro më shumë se në vitin 2021.
Sektori bankar në Kosovë ka përmbyllur vitin 2022 me fitim neto prej 140.3 milionë euro, që është vlera më e lartë e realizuar që nga themelimi i sektorit bankar.
Kështu thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) “Vlerësimi tremujor i ekonomisë”.
Sipas raportit, kjo performancë e sektorit u mundësua nga rritja më e lartë e të hyrave krahas rritjes së shpenzimeve.
“Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 370.4 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 15.0 për qind (15.4 për qind një vit më parë). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 71.1 për qind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit. Për më tepër, këtë vit, të hyrat nga interesi prej plasmanëve në bankat tjera dhe nga investimet në letra me vlerë janë rritur theksueshëm krahasuar me rënien me vitin paraprak”.
Ndërsa, kategoria e të hyrave nga jo interesi, kryesisht nga tarifat dhe komisionet, shënoi rritje shumë më të ngadalësuar krahasuar me një vit më parë, 8.0 për qind nga 31.0 për qind sa ishte deri në dhjetor 2021, dhe arritën vlerën prej 92.7 milionë euro.
Me rritje u karakterizuan edhe shpenzimet e sektorit, që shënuan rritje më të lartë vjetore kundrejt vitit paraprak prej 12.4 për qind nga 2.6 për qind, dhe arritën vlerën prej 230.0 milionë euro. Kontributin në këtë diferencë e kishte rritja vjetore prej 12.1 për qind apo 14.6 milionë euro e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative që kryesisht reflekton rritjen e shpenzimeve të personelit për 16.3 për qind (apo për 8.4 milionë euro). Kjo rritje sugjeron presionin e inflacionit në korrigjim të pagave të punonjësve në sektorin bankar.
Po ashtu, kategoria e shpenzimeve të jo-interesit shënoi rritje krahas rënies në vitin paraprak, për shkak të rritjes së shpenzimeve për tarifa dhe komisione si dhe provizioneve për humbjet e kredive (17.1 për qind rritje apo 2.5 milionë euro rritje).
Për krahasim, në vitin 2021 fitimi i bankave komerciale ishte 117.5 milionë euro.
Norma mesatare e kredive në vitin 2022 ishte 6.3 për qind ndërsa norma mesatare për depozita ishte 2.4 për qind, që paraqet një raport 3.9 për qind kredi-depozita. Ndryshe, në Kosovë operojnë gjithsej 12 banka komerciale, me gjithsej 200 njësi në territorin e vendit dhe numërojnë 3,781 të punësuar. Sa i përket pronësisë, 9 nga 12 banka sa janë në Kosovë i përkasin pronësisë së huaj.