20.7 C
Pristina
Monday, August 8, 2022

Gërvalla i përgjigjet Lajçakut: Kosova ka pranuar të pauzojë reciprocitetin nëse bllokadat largohen sot

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, ka reaguar pas postimit të emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosove-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se Kosova ka “pauzuar” vendimin për reciprocitet me dokumentet e identifikimit në raport me Serbinë.

Në reagimin e saj, ministrja Gërvalla ka potencuar se Kosova është pajtuar me propozimin e SHBA-së që të “pauzojë” vendimin deri më 1 shtator, por se kjo do të ndodh vetëm nëse bllokadat largohen, shkruan lajmi.net.

“Faktet mbesin fakte: Kosova është pajtuar me propozimin e SHBA-së, në linjë me BE-në. Ne jemi pajtuar që ta pauzojmë deri më 1 shtator 2022 – por vetëm nëse bllokadat largohen më 1 gusht. Reciprociteti do të mbesë realitet. Kosova nuk ka ‘shtyrë’ asgjë, rregullorja për ID-të është miratuar nga mesnata”, ka shkruar ajo, derisa e ka shpërndarë një postim të Lajçakut.

Kujtojmë se Lajçak ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të “pezulluar” vendimin për reciprocitet të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se kjo ka ardhur me propozim të Josep Borrel.

“Mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Josep Borrel për shtyerjen një mujore. BE pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë. Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj ambasadaës së Amerikës në Kosovë për mbështetjen e fortë”, ka shkruar Lajçak.

Të fundit
Lajme të lidhura