17.7 C
Pristina
Wednesday, August 10, 2022

Gazetat serbe, me tituj të “tmerrshëm” për Kosovën

Titujt ogurzi i kanë mbushur ballinat e gazetave serbe.

Shumë prej tyre që shiten edhe në Graçanicë, që ndodhet në zemër të Kosovës, paralajmërojnë operacione policore kundër serbëve në veri të vendit.

Kjo, duke folur me gjuhën e drejtuesve shtetërorë në Beograd, që janë kundër masave të reja të qeverisë së Albin Kurtit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Kuriri” u ka dhënë epitetin “Qëllimet e këqija” atyre që i cilëson si plane të ekzekutivit kosovar.

“Informeri” është edhe më ndjellakeq që e quan “Stuhia e zezë”, duke përdorur emërtimin që Kroacia i kishte vënë operacionit të para dy dekadave kur i kishte dëbuar të gjithë serbët nga zonat që ata i kishin shpallur si autonome.

Ndërsa “Vesti” e akuzon Bashkimin Evropian se po i vë flakën Kosovës.

Por, banorët e kësaj zone nuk është se u panë duke lexuar gazeta, e as të frikësuar nga titujt e tyre.

Të njëjtit thonë për Klan Kosova se janë kundër çfarëdo operacioni me baza etnike.

Në fakt kjo është vetëm fushata e radhës e mediave serbe të afërta me pushtetin në Beograd që paralajmërojnë operacione si “Oluja” kroate sa herë Kosova vendos masa reciproke dhe afate për zbatimin e tyre./klankosova.tv

Të fundit
Lajme të lidhura