17 C
Pristina
Tuesday, May 28, 2024

Gazetarja amerikane: Serbia është shteti më anti-SHBA në Evropë, Vuçiqi biznesmen i amerikanëve

- Advertisement -

Gazetarja amerikane Lily Lynch ka bërë një profil mbi politikën serbe dhe qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimet e Serbisë në raport me Kosovën.

- Advertisement -

Nëpërmjet një artikulli të publikuar të hënën në “Socialeurope”, Lynch, gazetare e mediumit “Balkanist Magazine” me qendër në Beograd, ka analizuar vizitën e Tucker Carlson, shoumen dhe personazh televiziv në ambasadën e Serbisë në Budapest.

Sipas Lynch, qasja e Vuçiqit ndaj Carlsonit mund të duket e pëlqyeshme dhe e lakmueshme por siç ka shkruar ajo, Serbia është vendi më antiamerikan në Evropë.

- Advertisement -

“Shkëmbimi (mes tyre v.j.) mund të duket i pëlqyeshëm, sa mund të harrohet, për momentin, se kjo qeveri serbe, që e shikon shumë në shtëpi një shfaqje amerikane – megjithatë, Serbia, nga të gjitha matjet, është vendi më antiamerikan në Evropë. Megjithatë, përgjithësisht një vend mikpritës për vizitorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndjenja ndaj politikës në Washington është krejt e ndryshme”, ka shkruar ajo.

Sipas gazetares dhe komentueses politike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi ka qenë e etur për t’i thelluar raportet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, “krahas natyrës autoritare të mbretërimit të tij dhjetëvjeçar dhe historisë së tij të errët politike”.

Lynch ka theksuar edhe faktin që Vuçiqi ka qenë ministër i Informacionit kur Slobodan Milosheviq ka qenë president i Jugosllavisë.

- Advertisement -

“Për amerikanët, Vuçiqi është dikush me të cilin mund të bëjnë biznes. Ata e shohin atë si të etur për të zbatuar ‘reformat ekonomike shumë të nevojshme’ – të tilla si një rishikim i ligjit të Punës në dobi të investitorëve të huaj dhe në dëm të punëtorëve serbë. Ata e shohin atë si të përgatitur për të bërë pothuajse çdo gjë për të ruajtur pushtetin personal dhe për këtë arsye të pranueshëm për të bërë marrëveshje jopopullore të inkurajuara nga Perëndimi, madje edhe për Kosovën. Dhe ata e mendojnë atë mjaft autokratik për të mbajtur një kapak mbi elementët e pahijshëm brenda së djathtës ekstreme serbe, ndërkohë që është mjaftueshëm i fuqishëm për të frenuar liderin më haptazi pro-rus të Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili në mënyrë periodike ngre spektrin e shkëputjes së saj nga Bosnja-Hercegovina”, thuhet në artikullin e saj.

Gazetarja amerikane ka theksuar faktin se Serbia s’i ka vendosur sanksione Rusisë, pasi kjo nisi agresionin në Ukrainë. Ajo ka shkruar edhe për kreun e BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, që muaj më parë është sanksionuar nga SHBA-ja, derisa ka folur edhe për situatën në veri dhe qasjen amerikane ndaj Kosovës.

“Ambasadat e SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë e kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti për ‘lëvizjet e menjëhershme’ të dhunës në veriun e Kosovës. Pjesa më e madhe e mediave e ka ndjekur shembullin – si me rastin e ‘TheEconomist’: ‘Kësaj radhe, shqiptarët etnikë të Kosovës janë kryesisht fajtorë’. Dënimi i tillë i ashpër ndaj Prishtinës është interpretuar nga shumë njerëz si përpjekje e radhës për të fituar favorin e serbëve”, ka shkruar tutje Lynch.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -