fbpx
3.3 C
Pristina
E shtunë, 4 Shkurt, 2023

Fotografia e Rugovës me Çettën – mrekullisht shpëtoi nga zjarri i Serbisë

- Advertisement -

Duhet Lexuar

Një fotografi ikonike e dy figurave të ndritshme kombëtare, mrekullisht i ka shpëtuar zjarrit të forcave serbe gjatë luftës 1998-99 në Kosovë.

Menjëherë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s [që filluan më 24 mars 1999 dhe zgjatën për 78 ditë], forcat serbe si gjest hakmarrjeje, të parës ia vunë flakën Zyrës Amerikane në Prishtinë, ndërsa të dytës, ish-selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku lider i aso kohe ishte Ibrahim Rugova.

- Advertisement -

Ish-selia e LDK-së tani është shndërruar në muze dhe mban emrin “Shtëpia e Pavarësisë”, pikërisht për faktin se në atë hapësirë u mbajtën takime të shpeshta e u pritën delegacione të shumta të cilat kishin një qëllim: mëvetësinë e Kosovës.

Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë” në Prishtinë

Në këtë ndërtesë të vogël, por me ndikim të madh, presidenti historik Ibrahim Rugova kishte varur në mur fotografi të ndryshme të takimeve të rëndësishme që i kishte zhvilluar me liderë të mëdhenj dhe me figura eminente nga mbarë bota.

Por, të gjitha këto fotografi i dogji zjarri i Serbisë përveç njërës që shpëtoi mrekullisht – e ajo është e Ibrahim Rugovës me Anton Çettën, e cila edhe sot qëndron e varur në këtë shtëpi dhe ruhet si vlerë historike.

Fotografinë ikonike të dy njerëzve të urtë – Rugovës, që kishte zgjedhur rezistencën paqësore në një kohë kur Kasapi i Ballkanit [Sllobodan Millosheviqi] kishte nisur ta drejtonte tehun drejt Kosovës, dhe Çettës, një profesor universitar që për mision kishte shuarjen e vëllavrasjeve ndërmjet shqiptarëve – nuk arriti ta djegë zjarri famëkeq i regjimit serb.

- Advertisement -

Klan Kosova i ka intervistuar dy personat të cilët kanë guxuar të futen menjëherë pas luftës brenda shtëpisë së djegur dhe të marrin pamje.

I pari që mori guximin të futej brenda ishte Adnan Ruhani – atëbotë fotograf personal i presidentit Ibrahim Rugova – pavarësisht asaj se ishte paralajmëruar se hyrja në atë ndërtesë mund të përfundonte me fatalitet për shkak të dyshimeve se hapësira mund të jetë e minuar.

- Advertisement -

“Fillimisht kam fotografuar me një fotoaparat krejt të thjeshtë sepse të tjerët mi kanë vjedhur gjatë luftës. Pikësëpari kam shkuar te shtëpia e Rugovës në lagjen ‘Velania’ në Prishtinë. Aty e kam takuar Adnan Merovcin, Rexhep Bahollin dhe KFOR-in. Pastaj kam shkuar te Zyra e Presidentit [ish-selia e LDK-së] dhe e kam parë se ka qenë krejt e djegur. Duke hyrë brenda, dy njerëz më kanë bërë thirrje që të mos futem aty sepse ka bomba e gjithçka, megjithatë unë kam hyrë ngadalë dhe e pashë që ishte krejt shkrumb, me u friku njeriu se ku e çka po shkel”.

Pas kësaj, Ruhani tregon se si kanë shkuar sërish, bashkë me kameramanin Fatmir Hadri, pasi Ibrahim Rugova kishte kërkuar nga ta që të shkojnë edhe një herë në atë hapësirë në mënyrë që të dokumentojnë gjithçka përmes fotografisë e xhirimeve.

“Rugova më është drejtuar mua: ‘Adnan, diçka nuk po më fle zemra. A po shkoni edhe të fotografoni dhe xhironi?’. Pastaj duke hulumtuar, kur e kam pa fotografinë, e kam pyetur veten se a është e mundur që ka shpëtuar? Jam afruar dhe ia kam hequr blozën me gisht dhe pastaj kam bërtitur: ‘Fatmir, pasha Zotin paska shpëtuar fotografia e Rugovës me Çettën’. M’u bë dora zi. Aty gjithçka tjetër ishte djegur, përveç asaj fotografie të cilës i kishte shpëtuar edhe xhami” i kornizës.

Tutje, ai tregon se si këtë fotografi ia kanë dërguar Rugovës, i cili thotë se është gëzuar fort kur e ka parë.

“E morëm atë fotografi dhe bashkë e çuam te Rugova – çfarë gëzimi ka qenë. Ai na tha: ‘Ja, a po e sheh se ma ka ndjerë zemra që ka shpëtuar diçka sepse nuk është e mundur me u djegë çdo gjë’”, përfundon Ruhani rrëfimin e tij për Klankosova.tv.

Por, tregimin e vazhdon kameramani Fatmir Hadri, i cili shpjegon se pse kjo fotografi ka qenë kaq e rëndësishme për presidentin historik.

“U gëzua sepse ishte i vetmi dokument që kish shpëtuar edhe në Zyrën e Presidentit Rugova, por edhe në zyrën tjetër ku janë mbajtur konferencat. Ishte i vetmi dokument që ka shpëtuar – ka shpëtuar në tërësi me kornizë – xhami dhe fotografia”.

“Unë dhe Adnani propozuam që ajo fotografi, e cila është histori, të mbetet asi soji, mos të lahet, mos të pastrohet. Ma merr mendja që edhe sot është në të njëjtën gjendje. Ka qenë një gëzim i madh për mua dhe Adnanin fillimisht kur e kemi parë, mandej edhe për presidentin Rugova”, shton Hadri.

Edhe pse dëshira e Ruhanit dhe Hadrit ishte që fotografia të mbetej ashtu me blozë për ta treguar më mirë gjendjen faktike, asaj i është hequr pluhuri nga xhami në mënyrë që të dalin në pah – krah për krah – të bashkuar dy burra paqësorë që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e re të Kosovës.

E njëjta fotografi, me të njëjtin xham dhe kornizë, qëndron edhe sot e varur në muret e shtëpisë ku edhe mbijetoi.

Ndoshta ajo shpëtoi për të treguar se paqja triumfon ndaj çdo zjarri, sado i ashpër që mund të jetë.

Shënim i autorit: Fotografinë e Ibrahim Rugovës me Anton Çettën e ka shkrepur fotografi tashmë i ndjerë Adnan Gërlica, në vitin 1990, në restorant “Dubrovniku” në Prishtinë.

Klan Kosova i falënderon për bashkëpunim historianin Bekim Gashi që punon si cicëron në “Shtëpinë e Pavarësisë” si dhe fotografin Shkumbin Brestofci i cili më parë ka organizuar ekspozitë me fotografi në po të njëjtën shtëpi.

- Advertisement -

Të fundit

Moti, po vijnë disa ditë të acarta

Ditën e shtunë po parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira, me të reshura shiu e bore. Nga...
- Advertisement -

Më shumë

- Advertisement -