-4.6 C
Pristina
18 Janar, 2021 - 16:55

Flet Veton Surroi pas vendimit për t’i hequr Titullin e Nderit nga Ku

- Advertisement -

Publicisti Veton Surroi ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Këshillit të Qarkut të Kukësit për t’i hequr titullin “Nder i Qarkut”, ka reaguar ekskluzivisht për Euronews Albania. Publicisti i njohur deklaroi se, vendimi i ngjason gjyqeve politike duke kujtuar se gjykime të tilla në këtë qark kanë pasur dhe pasoja të hidhura (varja e shkrimtarit Havzi Nela) por që për fatin e tij të mirë tashmë nuk jetojmë më në atë sistem totalitar pasi pasojat do të diheshin.

“Ishte pa këndshme por është një lajm në zhvillim dhe pas vendimit pashë që kryetari i bashkisë kërkoi falje. Nuk e di se ku gjendet dhe ku do të gjendet pas një orë kjo punë. Ishte pakëndshme dhe forma se si u veprua, u zhvillua një lloj gjyqi politik në të cilin më la mbresë formulimi “le ta shkarkojmë tash, format do t’i marrim më vonë. I ngjasonte pak gjykimeve politike dhe gjykimet politike në Kukës dhe për fat të keq ato kanë pasur pasoja të këqija në kohën e komunizmit. Fati i mirë është që jemi në një sistem tjetër se për ndryshe kjo punë përfundonte edhe më keq”, deklaroi z. Surroi.

I pyetur se tek cilat qëndrime bazohej një vendim i tillë nga Këshilli i Qarkut të Kukësit, ai tha se është një gjykim politik dhe sipas tij bazohet në emocion dhe jo në prova.

“U lajmërova nga miqtë e mi në Kukës që më shprehën keqardhje dhe nga kolegët e mi në Shqipëri që kërkonin një konfirmim nga unë ndërkohë që nuk dija asgjë për këtë lajm. Nuk shoh ku është inspirimi dhe prej nga është inspirimi, nuk e di për cilat dosje dhe për çfarë është fjala.

Dokumenti që është prezantuar nga z. Gjici, kryetari i bashkisë thoshte se kishe të bënte me iniciativën e dy intelektualëve që për fat të keq nuk i njoh dhe nuk e di se çfarë provash kanë paraqitur ata intelektualët dhe çfarë për z. Gjici është provë.

Ky veprim i gjykimit politik me thënë të drejtën siç do gjykim politik tjetër bazohet në emocion dhe reagim dhe veprim shkatërrues dhe në mbledhje të ndonjë prove apo vendimi. Fundi fundit se çfarë mendoj unë nuk është ndonjë sekret pasi shkruaj libra dhe shkruaj në gazetë”, u shpreh publicisti.

“As nuk kam nevojë të kërkoj dhe kush fshihet apo pse fshihet pas këtij vendimi. Kryetari i bashkisë tha se kishte një vendim pas kërkesës së dy intelektualëve. Pastaj tha për një letër të 57 familjeve. Me thënë të drejtën këto veprime nuk i bëjnë nder kryetarit të bashkisë”, përfundoi z. Surroi.

Këshilli i Qarkut ka argumentuar një vendim të tillë me qëndrimet që z. Surroi ka mbajtur kohët e fundit për luftën e UÇK-së në Kosovë. Veton Surroi u shpall “Qytetar Nderi” i Kukësit në vitin 2015 me propozim të klubit letrat “Anton Pashko” për kontribut të veçantë në fushën e medias dhe politike gjatë krizës së luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai është një nga intelektualët më të shquar të Kosovës. 59-vjeçari është publicist, politikan dhe ish-gazetar dhe ka qenë përfaqësues i Kosovës në bisedimet për Marrëveshjen e Rambujesë. Surroi në vitin 2011 ka marrë çmimin SEEMO për të drejtat e njeriut.

Kreu i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Avdullah Domi gjatë një deklarate pas vendimi tha se, vendimi ishte marrë pas disa debateve ndërsa në votim propozimi u miratua me shumicë votash.

Për këtë vendim reagoi dhe kryeministri, Edi Rama, i cili pasi e cilëson “lajthitje kolektive” i kërkoi Prefektit të Qarkut të mos e firmosë një vendim të tillë.

Ndërkohë disa orë pas vendimit në Këshillin e Qarkut të Kukësit, kreu i Bashkisë Kukës Safet Gjici e ka cilësuar vendimin si “të nxituar”. Z. Gjici në një reagim në rrjetet sociale tha se, vendimi kishte ardhur pas kërkesës nga 57 familje dëshmorësh ë UÇK-së.

Të fundit

Të tjera nga rubrika