0.3C
Pristina
3 Mars, 2021 - 03:52

Flet Ambasada e SHBA’së në Beograd për “shiptari”-n e Vulinit

Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për përdorimin e termit fyes “shiptari” për pakicën shqiptare që jeton në Serbi. Kësisoj, gjykata ka legalizuar termin pezhorativ ndaj shqiptarëve.

Nga ambasada amerikane në Beograd për Gazetën Express ka thënë se përdorimi i emrave nënçmues për t’i përshkruar grupet e pakicave shkaktojnë rreziqe dhe përçarje të vazhdueshme.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.

Zyrtari për media i ambasadës amerikane në Serbi, James Hagengruber, ka thënë për Express se gjykatat amerikane nuk thonë se cilat terma janë ligjorë apo fyes, por që, sipas tij, përdorimi i emrave nënçmues për pakicat sjellin rreziqe.

“Liria e të shprehurit është një vlerë themelore e Shteteve të Bashkuara. Kongresi ynë nuk ligjëson se cilat lloje të fjalimeve vlerësohen si fyese dhe gjykatat tona nuk thonë se cilat terma janë ligjorë apo fyes. Por ne dimë nga përvoja jonë kombëtare për rreziqet, dhimbjen dhe përçarjen e vazhdueshme të shkaktuara nga fjalimet fyese, në veçanti nga përdorimi i emrave nënçmues për t’i përshkruar grupet e pakicave”, thuhet në përgjigje.

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi ka paditur ministrin Aleksander Vulin për përdorimin e termit fyes “siptari” për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Gjykata e Lartë në Beograd e ka cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar dhe kësisoji i ka dhënë fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëvë në Serbi.

Deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi ka mbajtur dje një fjalim shqip ku ka thënë se vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd për legalizimin e termit “siptari” nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

“Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët duke i quajtur Albanac. Por, ja që nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuciqit po kthehet në kohën e Aleksandar Rankoviqit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit “šiptar”. Të respektuar kolegë, Vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd është edhe precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor. Ai krijon standard legjitimues për gjuhë të urrejtjes ndaj minoriteteve jo vetëm në Serbi, por edhe në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kamberi mes tjerash.

Kamberi u ka bërë thirrje ambasadave të shteteve të fuqishme, Bashkimit Evropian dhe misionit të OSBE’së në Serbi që të reagojnë ndaj këtij vendimi.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës së Lartë në Beograd ka reaguar edhe u.d së presidentit Vjosa Osmani duke e cilësuar si mbështetje të racizimit ndaj shqiptarëve.

“Urrejtja serbe e sponsorizuar nga shteti ndaj popullit tonë ka qenë mbizotëruese gjatë gjithë historisë sonë. Vendimi i sotëm i gjykatës për ta miratuar racizmin kundër shqiptarëve është një njollë tjetër në regjistrin e tmerrshëm të qeverisë së tyre.Kjo duhet të jetë një hapje e syve për të gjithë ata që shpresonin që Serbia do të përmirësohej”, ka shkruar Osmani.

Ndërkaq, ambasadorja në detyrë e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka thënë se gjykatat në Serbi kanë vulosur racizmin ndaj shqiptarëve.

“Gjykatat në Serbi vulosën racizmin ndaj shqiptarëve. E papranueshme, por jo befasuese. Kjo nuk është dhe nuk duhet të mbetet vetëm betejë e shqiptarëve të Luginës”, ka thënë Çitaku.

Të fundit

Të tjera nga rubrika