7.3 C
Pristina
E hënë, 4 Nëntor, 2024

Escobar zbulon a e bindi Kurtin për dinarin: Duhet të bëjmë diçka urgjente, janë edhe dy kushte të tjera për KE

- Advertisement -

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

- Advertisement -

“Kryeministri tha se ky ishte vendim i një institucioni të pavarur”, tha Escobar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë të premten, në përfundim të vizitës së tij në Kosovë, të cilën e nisi më 13 mars.

Escobar, megjithatë, tha se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

- Advertisement -

Ai shtoi se nuk ka marrë asnjë garanci nga kryeministri i Kosovës kur bëhet fjala për të çuar përpara draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai pranoi se ka, siç tha, “shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes, jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris”.

“Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, unë mendoj se pikërisht këtu jemi tani – jemi duke hyrë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, së paku nga pala amerikane, jemi duke bërë gjithçka që mundemi për ta riparuar këtë marrëdhënie”, tha Escobar, njëherësh i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

- Advertisement -

Vendimin për tokat rreth Manastirit të Deçanit e cilësoi si pozitiv, por tha se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

I pyetur nëse SHBA-ja sheh ndonjë lidhje midis sulmit në Banjskë dhe shtetit të Serbisë, Escobar tha:

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë në tërësi”.

“Ne nuk po i kërkojmë Serbisë hetime të 24 shtatorit [kur ndodhi sulmi në Banjskë], ne po i kërkojmë llogaridhënie”, tha Escobar.

Radio Evropa e Lirë: Zotëri Escobar, faleminderit që po flisni për Radion Evropa e Lirë këtu në Prishtinë, në fund të vizitës suaj në Kosovë.

Para se të udhëtonit për në Kosovë, ju thatë se fokusi i vizitës do të ishte në një zgjidhje të mundshme për, siç thatë ju, vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin serb. Mbrëmë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, ju tingëlluat paksa optimist lidhur me atë takim. Thatë se e kishit një diskutim të mirë, të hapur, ku kryeministri Kurti tha se ai do t’i shqyrtonte disa propozime që ju ia dhatë. A keni marrë ndonjë përgjigje nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Kemi, por më lini të ju tregoj pse kjo është e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara janë shumë të përkushtuara për t’u siguruar që Kosova mbetet një demokraci civile multi-etnike dhe, për të ndodhur kjo gjë, të gjitha komunitetet etnike duhet të ndihen të sigurta dhe të jetojnë në kushte sigurie dhe dinjiteti. Çfarë po ndodh tani me vendimin e Bankës Qendrore është se ka shumë qytetarë tuaj që po ndiejnë shumë dhimbje, njerëz që nuk po i marrin pagat modeste. Ne po flasim për [persona] me aftësi të kufizuara, të pensionuar, studentë, njerëzit më të cenueshëm dhe ky vendim i ka prekur ata shumë thellësisht. Tani, Qeveria ka thënë se ka shumë opsione për ta, por Qeveria nuk ua ka ofruar atyre një opsion. Qeveria ka thënë se opsioni… [se] ata e kanë vetë përgjegjësinë për ta bërë këtë dhe shumë njerëz janë duke e pasur të vështirë.

Disa nga njerëzit më të moshuar nuk i kanë dokumentet e duhura. Disa nga njerëzit më të rinj… dokumentet e tyre nuk po pranohen. Disa nga bankat po thonë se duhet mesatarisht një orë për ta hapur një llogari. Jo të gjithë kanë llogari. Vetë bankat, pavarësisht se çfarë thotë Ministria juaj e Financave… vetë bankat thonë se atyre iu duhen mes 30 dhe 40 mijë llogarive, me secilën llogari që merr nga një orë. Kjo është 40 mijë orë të kohës së stafit. Duke konsideruar se njeriu mesatar punon mes 1.000 dhe 1.500 orë në vit, imagjinoni se sa gjatë do të duhet për t’i hapur këto llogari.

Kështu që, ky veprim, i cili është i pakoordinuar dhe që ka krijuar përçarje, është duke krijuar vështirësi reale për qytetarët, disa nga qytetarët e Kosovës. Tani, për njerëzit që nuk marrin ndihma sociale nga Serbia, ata nuk po e vërejnë se sa shumë po ndikon te disa. Për ata që punojnë me euro dhe ata që paguhen në mënyra të tjera, ata nuk e kuptojnë se ka njerëz në mesin tuaj që po vuajnë.

Kështu që ishte mirë që kryeministri e pranoi se ka njerëz që po vuajnë. Por, kjo nuk mjafton. Na duhet një zgjidhje. Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë.

Ky është lajmi i fundit nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Ky është lajmi i fundit.

Gabriel Escobar: Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz.

Cilët janë hapat e radhës ose cili ishte arsyetimi që morët nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Kryeministri tha se ky është një vendim i një institucioni të pavarur, në të cilin ai nuk dëshiron të përfshihet. Ose që kjo është një telashe për njerëzit që mund të tejkalohet lehtësisht ose që mund të zëvendësohet me pagesa nga Qeveria e Kosovës. Por, asnjëra nga këto nuk do të ndodhin shpejt. Për këtë arsye ne po kërkojnë shtyrje të zbatimit. Tani, unë e kuptoj normalisht që një Bankë Qendrore dhe Ministria e Financave e bëjnë më të mirën e tyre për të mos krijuar jostabilitet dhe paparashikueshmëri në ekonomi. Ata e bënë pikërisht këtë gjë.

Tani ka disa jashtë që besojnë që kjo u bë për t’i ndëshkuar serbët. Unë nuk e besoj këtë. Por, unë besoj që – meqë kjo Qeveria e Vetëvendosjes nuk ka një histori të gjatë qeverisjeje – nganjëherë ka njerëz që nuk i mendojnë pasojat deri në fund. Dhe, unë mendoj që kjo është pse unë e karakterizova këtë në Bruksel si paksa jokompetencë, sepse kur flasim për pasojat e padëshirueshme, të gjithë e kuptuan se ka pasoja të padëshirueshme. Por, këto mund të ishin parashikuar dhe do të ishin parashikuar nëse nuk do të ishte [veprim] i pakoordinuar.

QUINT-i ka shumë përvojë në konvertimin e monedhave, duke kaluar nga një monedhë në euro, por iu desh shumë kohë. Ne kishim vetëm pesë javë.

“Ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes”

Pse vendosi kryeministri të vazhdojë me këtë ndalim duke e ditur se kjo çështje mund të ishte zgjidhur përmes Asociacionit?

Gabriel Escobar: Kjo është një pyetje për të, por është e vërtetë. Ajo që ne nuk duam të bëjmë, është ta minojmë potencialin e Asociacionit, që është ende shumë i rëndësishëm. Është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Do të flasim për këtë më vonë. Por, si ndiheni si zyrtar i SHBA-së që refuzoheni nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve.

Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për të riparuar këtë marrëdhënie.

Radio Evropa e Lirë: Ky vendim i sotshëm, si do të ndikojë në komunikimin, partneritetin, marrëdhënien që SHBA-ja ka me Kosovën?

Gabriel Escobar: Marrëdhëniet tona bazohen, pothuajse gjithmonë, jo vetëm në interesa të përbashkëta, por në vlera të përbashkëta. Dhe, një nga ato vlera të përbashkëta është përkushtimi ndaj të drejtave të njeriut. Pra, fakti që Qeveria më pro-Kosovës në botë dhe Qeveria më pro-amerikane në botë, pra Shtetet e Bashkuara dhe Kosova, po e kanë këtë vështirësi, nuk është për shkak të politikave tona ndaj Rusisë apo Ukrainës apo Kinës, është për shkak të trajtimit të minoriteteve. Pra, kjo duhet të jetë një thirrje zgjimi për kryeministrin dhe Qeverinë e tij se ku po shkon kjo marrëdhënie.

A do ta konsideroni [vendosjen e] ndonjë masë ndaj Kosovës për shkak të kësaj?

Gabriel Escobar: Jo… Dua të them, fakti është që ne po përpiqemi ta ndihmojmë atë të kujdeset për qytetarët e tij. Dua të them se jemi pothuajse në një pikë ku po përpiqemi shumë të punojmë me të.

Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por padyshim ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës me askënd administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia.

A prisni që, të martën, Kosova megjithatë do ta rimendojë këtë? Më parë Kosova thoshte se nuk do ta çojë këtë çështje në Bruksel. Tani, mbrëmë, na thatë se të martën do të ketë dialog [takim] në nivelin e kryenegociatorëve. Së pari, bazuar në informacionet tuaja, a do të jetë dinari pjesë e diskutimit?

Gabriel Escobar: Po, po, absolutisht. Do të jetë. Dhe, kështu…. shikoni, duke u bazuar në takimet e mia të djeshme, unë sigurisht që shpresoj që ata do ta rishikojnë tani. Kjo nuk është një pyetje, nuk është një çështje politike. Ne duam ta bëjmë përpara se të bëhet një çështje humanitare. Pra, ka një rrugë përpara. Pra, ne pajtohemi me pagesat elektronike, ne pajtohemi me euron dhe jemi dakord me një zgjidhje afatgjatë që ju ofron transparencë dhe kapacitet për të luftuar pastrimin e parave dhe format e tjera të transfereve të paligjshme. Por, kjo duhet të bëhet siç duhet, [në mënyrë] të koordinuar dhe në atë mënyrë që të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

A mundet ky vendim… apo nëse Kosova nuk tërhiqet, a mund të ndikojë kjo edhe në mbështetjen e SHBA-së për sigurinë e Kosovës, siç është marrja e Javelinëve?

Gabriel Escobar: Unë nuk mendoj ashtu. Unë do t’ju them që mbështetja jonë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë e Kosovës është e fortë. Tani pyetja se si ta trajtojmë këtë, do të jetë brenda sferës politike, por kjo nuk do të ndikojë në angazhimin tonë ndaj Kosovës.

“Janë dy kushte të tjera për Këshillin e Evropës”

Një gjë e mirë që ndodhi këtë javë – të paktën QUINT-i e ka mirëpritur – është vendimi për Manastirin e Deçanit. Sa do të jetë vendimtar në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës?

Gabriel Escobar: Shikoni, është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin, megjithëse pjesërisht është, por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Dhe, kështu që duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë.

Pra, Kosova tani po tregon që ka pjekurinë për t’i pranuar rezultatet e një vendimi kushtetues, sado jopopullor të jetë. Por, është gjëja e duhur për t’u bërë sepse është gjëja ligjore që duhet bërë. Kështu që, do të ketë një efekt.

Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni.

A do të lobojë, ndërkohë, SHBA-ja për Kosovën për këtë anëtarësim?

Gabriel Escobar: Mendoj se jemi duke i vlerësuar të gjitha opsionet. Neve ende na duhet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]. Ai është kyç. Dhe, kur të flasim për zgjerim, do t’ju shpjegoj pse Asociacioni është kaq i rëndësishëm.

Ne mund të fillojmë të flasim për Asociacionin. Besoj se keni folur mbrëmë me kryeministrin lidhur me Asociacionin. Ekziston një draft-statut në tavolinë dhe Kosova nuk ka bërë ndonjë lëvizje për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. A keni marrë ndonjë konfirmim se kryeministri Kurti do ta bëjë këtë së shpejti?

Gabriel Escobar: Asnjë, fare. Tani më lejoni t’ju tregoj pse kjo është e rëndësishme. Më lejoni t’ju tregoj se çfarë është Asociacioni. Asociacioni është në të vërtetë aftësia e komunave me shumicë serbe për të ofruar shërbime në gjuhën serbe, shërbime të cilat ato tashmë kanë të drejtë t’i ofrojnë. Kjo është e gjitha.

Asnjë pushtet ekzekutiv, asnjë shtet brenda shtetit, asgjë që do t’u jepte atyre një veto mbi kushtetutshmërinë apo funksionalitetin tuaj.

Dhe, asgjë jashtë strukturës së kornizës ligjore të Kosovës. Pra, me fjalë të tjera, është duke ofruar garanci dhe pak vetëmenaxhim për pakicat, që e kanë tashmë pakicat e tjera brenda Evropës dhe brenda Shteteve të Bashkuara.

Pra, kjo nuk është asgjë tjetër përveçse e sjell marrëdhënien e Kosovës me pakicat e saj në nivel evropian. Prandaj, ka qenë në Planin e Ahtisaarit, prandaj është në atë [marrëveshjen] të Brukselit, prandaj është në atë [marrëveshjen] të Ohrit. Prandaj, duhet të vazhdojmë shpejt.

Tani gjëja tjetër është, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Deri në dhjetor, kandidatët e vetëm për zgjerimin e Bashkimit Evropian ishin vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas dhjetorit, tani kemi Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Dhe, derisa Ukraina po përballet me një situatë jete a vdekje, ata po e përplasin derën e Evropës dhe ajo derë do të hapet. Dhe, kjo do të thotë se fokusi i zgjerimit nuk do të jetë Ballkani, por Ukraina.

Ato janë të uritura. Ato do t’i mbyllin kapitujt, do të bëjnë reforma.

Dhe, kur 27 vendet e Bashkimit Evropian hapin debatet e tyre parlamentare secila prej tyre, ato nuk do ta bëjnë këtë çdo herë për vendet e Ballkanit Perëndimor derisa ato bëhen gati.

Do të jetë një grup me ato që janë gati dhe më pas do të jenë ato që do të presin një kohë të gjatë.

Kosova nuk është as kandidate. Pra, ndërsa përpiqemi të ecim përpara, ne, siç tha ambasadori Hovenier, kjo mungesë e Asociacionit dhe çështja e dinarit do të thotë se Shtetet e Bashkuara po e kanë të vështirë të lobojnë te mosnjohësit që do ta marrin vendimin për kandidaturën e Kosovës për NATO dhe për Bashkimin Evropian.

Pra, derisa Kosova e injoron rrugën evropiane, që është dialogu, dhe i injoron rrugët evropiane që udhërrëfyesit që po ua japin, që është Marrëveshja bazë, Aneksi [ i zbatimit] dhe tani statuti i Asociacionit, Evropa po thotë se Kosova nuk po punon me Evropën.

Prandaj, keni masa [ndëshkuese] evropiane, veç tjerash. Pra, duhet t’i heqim masat. Ne kemi nevojë që ju të arrini të merrni kandidaturën dhe ne kemi nevojë që ju të anëtarësoheni te Partneriteti për Paqe, urgjentisht përpara se ta humbim këtë mundësi historike.

Tani injorimi i dialogut po ju largon më shumë nga ajo rrugë./REL

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -