8.1 C
Pristina
Friday, October 7, 2022
- Advertisement -

Escobar falënderohet për marrëveshjen – por, kush e kërkoi shtyrjen e reciprocitetit, ShBA-ja apo BE-ja?

Nata e 31 korrikut solli sërish barrikadat e serbëve në veri të vendit në kohën kur kishin mbetur edhe pak orë që Kosova të niste zbatimin e reciprocitetit me Serbinë.

Pasi situata në veri filloi të tensionohej ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili takoi me urgjencë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

- Advertisement -

Ambasadori amerikan pas takimit doli në konferencë, siç nuk ndodh zakonshëm, ku bëri të ditur se i kërkoi Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë zbatimin e vendimit për reciprocitet në dokumente dhe targa për një muaj.

Arsyet e kësaj kërkese të fortë amerikane ishin “keqkuptimet dhe dezinformatat rreth këtyre vendimeve”.

Pak minuta para mesnatës, Qeveria e lëshoi një njoftim zyrtar ku u bë e ditur se do të përfillet kërkesa amerikane dhe se masa e reciprocitetit do të hyjë në fuqi më 1 shtator nën kushtin që të gjitha barrikadat e vendosura të largoheshin.

- Advertisement -

Ndonëse kërkesa erdhi nga amerikani Hovenier ishte emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se shtyrja e zbatimit të reciprocitetit për një muaj ishte ide e kryediplomatit evropian Josep Borrell.

E vet Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri e mirëpriti vendimin e Kosovës për shtyrjen njëmujore të zbatimit të masave reciproke, por nuk tha se kjo ishte ide apo kërkesë e tij.

- Advertisement -

“Mirëpresim vendimin e Kosovës për shtyrjen e masave deri më 1 shtator. Presim që të gjitha pengesat nëpër rrugë të largohen menjëherë. Cështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohemi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që është thelbësore për rrugët e tyre të integrimit në BE”, kishte cicëruar ai.

Tensionet e veriut – të zakonshme kur institucionet e Kosovës marrin vendime që nuk i pëlqejnë Beogradit zyrtar – ishin tema kryesore e takimit të nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Takimi – që u ndërmjetësua si zakonisht nga evropianët Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak – nuk solli marrëveshje as për targat e as për dokumentet.

Në takimin e 18 gushtit me shumë gjasë u fol edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që si pikë të agjendës e paralajmëroi emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Amerikani, që dha sinjale për përfshirje më të madhe të ShBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, u pa më 18 gusht në objektin ku u mbajt takimi trepalësh mes Kurtit, Vuçiqit dhe zyrtarëve evropianë.

Pas përfundimit të dy rundeve të takimit trilateral ishte Borrell ai i cili e cilësoi si “jo normal” takimin, por që bëri të ditur se Kurti e Vuçiq u pajtuan për t’u takuar sërish.

Në një konferencë për media, ai shprehu keqardhje që takimi i 18 gushtit rezultoi pa marrëveshje teksa shtoi se “të dyja palët do të jenë përgjegjëse për ndonjë eskalim të mundshëm”, njofton Klankosova.tv.

Në natën e 18 gushtit, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, konfirmoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po vëzhgohet nga ShBA-ja.

”Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ambasadori ynë në BE është një nga zyrtarët që po e vëzhgon këtë nga afër. Por, ka zyrtarë të lartë që edhe këtu në Uashington po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”.

Mosarritja e as edhe një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë solli në Prishtinë e Beograd emisarin evropian për dialog Miroslav Lajçak.

E një ditë më herët në kryeqytetin kosovar kishte ardhur homologu i tij amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili takoi presidenten Vjosa Osmani dhe darkoi me opozitën.

Ndërkohë takimi kryesor u zhvillua të mërkurën që lamë pas, kur në Kosovë u kthye edhe kryeministri Albin Kurti.

Pas takimit me Escobar e Lajçak, Kurti tha se reciprociteti duhet të jetë fryma e dialogut dhe se dialogu duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Ndërsa, Osmani në takim me emisarët amerikano-evropian tha se Kosova është palë konstruktive dhe e përgatitur në dialog.

Përpara nisjes për në Serbi, Lajçak e Escobar shkuan në Mitrovicë ku takuan kryetarët e katër komunave veriore si dhe kryetarin e Listës Serbe, nga ku thanë se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut.

Escobar e Lajçak në kryeqytetin serb patën takim me presidentin Aleksandar Vuçiq të cilin e cilësuan si jo të lehtë dhe të gjatë. Për “takim të vështirë” foli edhe presidenti serb.

E marrëveshja e kërkuar nga ShBA-ja dhe BE-ja u arrit nëntë ditë pas takimit në kryeqendrën evropiane dhe vizitave të emisarit amerikan e atij evropian në kryeqytetin kosovar e atë serb.

Është kryediplomati evropian, Josep Borrell, ai i cili dha lajmin e madh se në mes Kosovës e Serbisë tashmë ka një marrëveshje në lidhje me dokumentet identifikuese.

Menjëherë reagoi emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak, i cili rishpërndau postimin e Borrellit, por falënderoi ShBA-në dhe të dërguarin e saj për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për mbështetjen e dialogut.

Njëjtë veproi edhe emisari gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, që i falënderoi edhe emisarin amerikan edhe atë evropian.

Edhe kryeministri kosovar Albin Kurti falënderoi dy të dërguarit specialë që u morën intensivisht me dialogun ditëve të fundit, veçse ky e vecoi ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Kujtojmë se marrëveshja e sotme ka të bëjë vetëm për dokumentet identifikuese, ndërsa çështja për targa mbetet ende e pazgjidhur.

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -