7.5 C
Pristina
24 Shtator, 2021 - 01:10

 Escobar do të zëvendësojë Mathew Palmer si emisar amerikan në dialogun Kosovë-Serbi

Në qarqet diplomatike në Washington D.C. po spekulohet me të madhe se diplomati amerikan Gabriel Escobar, një ekspert amerikan për Ballkanin dhe Europën Juglindore, do të zëvendësojë Matthew Palmer në pozitën e tij në Departamentin e Shtetit Amerikan.

Këtë e ka bërë të ditur për gazetën serbe Danas një diplomat perëndimor që ka përmendur ndryshimet e personelit në diplomacinë amerikane.

Siç ka mësuar media serbe nëse Escobar merr përsipër detyrën e zëvendës ndihmësit të sekretarit të shtetit, në të cilën Palmer ka shërbyer gjatë, kjo do të thoshte se ai do të ishte edhe përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, përkatësisht do të përfshihej në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës e Serbisë.

Burimi nga Washington ka shpjeguar se Escobar “njeh situatën në Ballkanin Perëndimor si xhepin e tij, ndoshta edhe më mirë se Palmer, që konsiderohet si ekspert i jashtëzakonshëm për atë rajon” dhe se ka “përvojën diplomatike që shumë do t’ia kishin zili”.

Gabriel Escobar shërbeu si zëvendës ambasador në Beograd në vitin 2019. Paraprakisht ka shërbyer në ambasadën amerikane në Bagdad ku kishte kryer detyrën si zëvendës ambasador për shumë mandate.

Ai në periudhën 1998 – 2001 ka pasur katër mandate rresht në Ballkanin Perëndimor, detyra në Bosnje e Hercegovinë, shef i zyrës së ambasadës në Banja Llukë, shef i ekipit diplomatik ndërlidhës në Podgoricë dhe kreu i departamentit politik në Beograd, menjëherë pas rihapjes së ambasadës në vitin 2001.

Ai ka shërbyer edhe në departamentin e shtetit si koordinator për çështje kubane në zyrën për hemisferën perëndimore.

Të fundit

Të tjera nga rubrika

Hapësirë reklamuese