Konfliktet verbale mes pjesëmarrësve në trafik nuk janë të rralla në vendin tonë dhe shpesh përcillen edhe me incidente. Ka raste kur shoferët vendosin t’i qërojnë hesapet me njëri-tjetrin dhe të mos i denoncojnë të tilla sherre në Polici.
Një rast i tillë ka ndodhur në rrugën ‘Nënë Tereza” në Gjakovë, por këtë herë incidenti ndodhi para syve të Policisë.
Kështu ka bërë të ditur një lexues Sinjalit, i cili ka njoftuar se një person e ka goditur me shuplakë një shofer, i cili e kishte aksidentuar veturën e tij.
Sipas tij, kjo ka ndodhur para zyrtarëve policorë, të cilët më pas e kanë arrestuar të dyshuarin dhe e kanë shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, pritet të merren veprimet e nevojshme dhe të iniciohet rasti me urdhër të Prokurorit të Shtetit./sinjali