5.8 C
Pristina
E martë, 29 Nëntor, 2022
- Advertisement -

Dyshohet që Koreja Veriore ka hedhur raketë balistike ndërkontinentale që ra afër Japonisë

Koreja Veriore dyshohet se ka hedhur të premten një raketë balistike ndërkontinentale, për të cilën zyrtarët japonezë thanë se kishte rreze të mjaftueshme veprimi për ta arritur territorin kryesor të Shteteve të Bashkuara dhe që ra vetëm 200 kilometra larg Japonisë.

- Advertisement -

Lëshimi i kësaj rakete, i raportuar nga zyrtarët e Japonisë dhe të Koresë Jugore, u bë një ditë pas hedhjes së një rakete tjetër më të vogël nga Koreja Veriore dhe pas paralajmërimit të këtij shteti për “kundërpërgjigje më të egra ushtarake” ndaj fuqizimit të pranisë së forcave të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, do të takohet të premten me udhëheqësit e Japonisë, Koresë Jugore, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit për të diskutuar për hedhjen e kësaj rakete, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Zonja Harris ndodhet në Tajlandë për të marrë pjesë në këtë samit, në kohën kur tensionet gjeopolitike janë rritur për shkak të luftës në Ukrainë dhe çështjeve të tjera të ndjeshme si Tajvani dhe situata në Gadishullin Korean, raporton agjencia “Reuters”.

- Advertisement -

Lëshimi i kësaj rakete të premten është pjesë e një viti rekord për programin raketor të Koresë Veriore, pasi vendi e rifilloi testimin e raketave balistike ndërkontinentale për herë të parë nga viti 2017 dhe e shkeli moratoriumin për lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi pas ngecjes së bisedimeve për denuklearizim.

Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Yasukazu Hamada, u tha gazetarëve të premten se raketa mund të fluturonte deri në 15.000 kilometra largësi, ndërsa sekretari i kabinetit, Hirokazu Matsuno, tha se raketa e Koresë Veriore fluturoi në lartësi prej rreth 6.000 kilometrash dhe largësi prej 1.000 kilometrash para se të binte rreth 200 kilometra në perëndim të ishullit japonez, Oshima.

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, tha se nuk ka pasur raportime për dëme, por se hedhja e përsëritur e raketave nga Koreja Veriore nuk mund të tolerohet.

- Advertisement -

Presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk-yeol, e dënoi hedhjen e raketës dhe bëri thirrje për gatishmëri më të fuqishme të mbrojtjes dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

Hedhja e raketës të premten do të ishte testimi i tetë i një rakete të dyshimtë balistike ndërkontinentale vetëm gjatë këtij viti nga Koreja Veriore, duke u mbështetur në të dhënat e Departamentit të Shtetit të ShBA-së.

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -