15.7 C
Pristina
Wednesday, September 28, 2022
- Advertisement -

Ditën kur po varrosej Adem Demaçi, në Prishtinë u diskutua ndryshimi i kufijve- flasin protagonistët

Ndryshimi i kufijve përmes shkëmbimit të disa territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është hedhur larg si temë nga tavolina e bisedimeve, aq sa protagonistët tani kanë vendosur të flasin më me zë për atë ide.

Kjo ide që ishte shndërruar gati në një plan konkret, ishte diskutuar edhe në varrimin e veprimtarit politik, Adem Demaçi, si një çështje pothuajse e kryer. Kjo temë ishte bërë edhe çështje e përplasjeve të brendshme në Kosovë.

- Advertisement -

Vera e vitit 2018 ishte koha kur konferencat për media të presidentit të atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi ishin bërë gjëja më e zakonshme. Në to, Thaçi promovonte idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë përmes ndryshimit të kufijve. Por ai s’e thoshte kaq qartë. Publikisht vendosi të shkonte vetëm deri aty, sa të kërkonte që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkoheshin Kosovës.

Tani kur kjo ide ka vdekur, me gjasë përfundimisht, disa nga protagonistët kanë zgjedhur të flasin më tepër për prapaskenat. Se sa e rëndësishme ishte bërë ajo ide në verën e vitit 2018, tregoi së fundmi edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Ai, atëherë si shef i shtetit shqiptar kishte ardhur në Prishtinë për varrimin e veprimtarit politik, Adem Demaçi. Në ditën e varrimit të Demaçit, më 28 korrik, ishte njoftuar për këtë ide nga gazetari Baton Haxhiu.

Madje, Meta thotë se Haxhiu i kishte thënë se ajo ishte çështje e kryer.

- Advertisement -

“Njeriu i cili i pari ka folë për korrigjimin e kufijve me Ilir Metën jam unë. Nuk ka pasë asnjë dijeni, asnjë dijeni”, tha Baton Haxhiu në emisionin “Çim Peka Live” në TV Syri të enjten.

“Që përcollëm të ndjerin Adem Demaçi?”, e pyeti Meta dhe mori pohimin. Më pas, të dy treguan ngapak se çfarë u diskutua.

- Advertisement -

Haxhiu tha se atë ditë e kishte “informuar saktësisht” Metën për korrigjimin e kufijve për shkak se, siç tha, kishte “sinqeritet miqësor me Ilirin për një kohë të gjatë”.

“Po pse ça i bëra unë sinqeritetit tënd?”, pyeti Meta. “Çfarë i ke bërë? E bëre rrëmujë”, ia ktheu Haxhiu.

“Unë kam bërë rrëmujë? Pse? Por e vërteta është kështu. T’i themi gjërat me etikë dhe me kujdes, për hir të së vërtetës, se ka edhe Zot lart, Baton. Të lutem. Për hir të së vërtetës, atë ditë, pasi kemi përcjellë të ndjerin Adem Demaçi, kemi qëndru në një ambient diku dhe kemi folë me njëri-tjetrin, edhe me personalitete tjera. Dhe Batoni me një anë më ka thënë se ekziston një ide. Është e kryeme bile më ke thënë”, tha Meta.

Haxhiu tha se ish-presidenti “po e thjeshtëson shumë”.

“Ne kemi qenë në një takim, i cili u hap, le të themi, kalimthi, dhe mund ta themi, ka qenë Z. Ramush Haradinaj, Z. Hashim Thaçi”.

Më pas ndërhyu Meta: “Ne kemi bërë bisedë më vete bashkë, me një koleg tonin të përbashkët veç e veç, nuk kemi bërë bisedë në grup për këtë. Dhe të dyve ju kam thënë: ju lutem, këtë çështjen e ndryshimit të kufijve nuk e besoj që e mbështet Amerika, që e mbështet Gjermania, nuk duhet të nxitohemi”.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, kishte vazhduar me këtë ide. Konferencat e shpeshta për media ku thoshte se ajo ide “nuk nënkupton ndarje të Kosovës”. Edhe pse Thaçi nuk ishte kurrë shumë i drejtpërdrejtë në lidhje me këtë ide, retorika e tij u zbut disi pas kundërshtimit të ashpër nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj.

“Kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim territori, dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit dhe njohje e anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë. Synimi im nuk është ndryshim i kufijve është korrigjim i tyre. Kemi diku 400 kilometra kufi, që duhet të ndodhë si demarkim mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, shprehej Thaçi në njërën nga këto konferencat.

Haradinaj në anën tjetër, theksonte se kjo do të sillte Iuftë të re.

“Luftërat kanë qenë tragjike në të kaluarën dhe realiteti i sotëm është krejt rezultat i atyre epilogëve të atyre Iuftërave. Ne duhet të konsolidojmë të arriturat tona, pra Shqipëria, Kosova e kudo që jemi shqiptar, por hapja e temës së kufijve është e papranuar për mua. Ajo është një retorikë politike. Beogradi bën një retorikë, Prishtina bën. Është një kundër retorikë, kundërpërgjigje. Në fund kufijtë ju e dini nuk lëvizin me fjalë”, thoshte Haradinaj në një rast.

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -