8.6 C
Pristina
E diel, 4 Dhjetor, 2022
- Advertisement -

Dhanë dorëheqje në Kosovë, por liderët e Listës Serbe marrin rroga të majme nga Beogradi – Këto janë shifrat

10 deputetë të Listës Serbe dorëzuan dorëheqjet e tyre. Njëjtë edhe kryetarët e komunave në veri. Por, këta që bartin funksione të larta në Listën Serbe, do të vazhdojnë të marrin rroga të majme nga buxheti i Serbisë. Kjo pasi ndër vite, ata janë paguar edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga ai i Serbisë.

Dorëheqje dhanë gjyqtarët, prokurorët e policët. Megjithatë, një pjesë e madhe e policëve e stafit administrativ serbë, do të mbeten pa paga. Kjo pasi shumë prej tyre janë detyruar të lëshojnë vendet e tyre nën presion dhe me kërcënime.

- Advertisement -

Përderisa udhëheqësit e Listës Serbe do të vazhdojnë të mos e kenë problem mbijetesën, probleme do të kenë serbët që u detyruan të heqin dorë nga paga e vetme, ajo e Kosovës, raporton gazeta Nacionale.

Për këtë kishin alarmuar edhe organizatat joqeveritare serbe që veprojnë në veri. Aleksandër Arsenijeviq politikan serb nga veriu, kishte alarmuar për këtë çështje.

“Në veri të Kosovës, më të prekurit janë ata që nuk kanë (do të kenë) rroga, dhe për dallim nga ata që marrin disa rroga njëherësh, jetojnë dhe mbijetojnë me familjet e tyre këtu.” – tha ai.

- Advertisement -

Analisti Stefan Veljkoviq po ashtu ka përmendur çështjen e rrogave pas daljes së zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës sipas kërkesës së politikanëve të Listës Serbe.

“Deri së voni, ish përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Ksoovës premtuan se krejt ata që do të humbnin punët e tyre do të lëviznin në buxhetin e Serbisë sa më shpejt të jetë e mundur. Sidoqoftë, tash ata janë heshtur. Ndoshta sepse e dinë që shpejt do të rikthehen në institucionet e Kosovës?”u shpreh Veljkoviq në fjalën e tij.

Deputetët e Listës Serbe dhe udhëheqësit e komunave veriore nga e njëjta parti, ndër vite kanë deklaruar në Agjencinë KundërKorrupsion se marrin rroga edhe nga Kosova edhe nga Serbia.

- Advertisement -

Pagat nga Beogradi

Shumica prej liderëve të Listës Serbe që dhanë dorëheqje, vazhdojnë të paguhen. Por, jo nga Kosova. Pagën ata do të vazhdojnë ta marrin nga Serbia për punë të ndryshme që kryejnë në pjesën veriore.

Gazeta Nacionale ka hulumtuar deklarimet e pasurisë të këtyre zyrtarëve, dhe sjell pagat e tyre nga Beogradi zyrtar.

Igor Simiq deputet deri më tash i Listës Serbe në Agjencinë KundërKorrupsion ka deklaruar edhe një rrogë 15 mijë e 500 euro në vit që e merr nga Serbia. Kjo si kryetar i Drejtorisë në Beograd në Fondin për Sigurime Pensionale. Simiq gjithashtu merr 2 mijë e 400 euro në vit si Asistent në Fakultetin Ekonomik.

Jasmina Dediq një tjetër deputete e dorëhequr nga Kuvendi, vazhdon të marrë rrogë si Këshilltare për Arsim në Administratën Arsimore në veri. Ajo paguhet 12 mijë euro në vit, apo 1 mijë euro në muaj.

Zoran Mojsiloviq tjetër deputet i dorëhequr nga Lista Serbe ka edhe dy funksione tjera për të cilat paguhet nga Serbia. Ai është punëtor sportive në Qendrën Sportive në Veri për të cilën nuk e ka deklaruar rrogën. Kurse, 11 mijë e 345 euro në vit Mojsiloviq i merr si Asistent në Fakultetin e Sportit në Leposaviq.

Verica Çeraniq gjithashtu e larguar nga Kuvendi i Kosovës, vazhdon të marrë pagë prej 1 mijë e 400 euro në muaj si ekonomiste në Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Pagë të cilën e merr nga Serbia, e nga ku ishte paguar edhe sa ishte deputete.

Milijana Nikoliq vazhdon të paguhet si Specialiste e Anesteziologjisë në Qendrën Spitalore Klinike në Veri. Ajo merr pagë nga Serbia prej 16 mijë e 200 euro në vit.

Deputeti tjetër i Listës Serbe Millosh Peroviq, paguhet gjithashtu nga Serbia me 8 mijë e 238 euro në vit. Kjo pasi punon si zyrtar në Administratën Komunale në Zubin Potok.

Dragana Antonjeviq deputete e Listës Serbe gjithashtu merr 12 mijë euro në vit nga Serbia, si këshilltare për arsim në pjesën veriore të vendit.

Me paga të dyfishta deri më tash kanë qenë edhe udhëheqësit e komunave në veriun e vendit. Ata janë paguar edhe nga Kosova e Serbia. Tash pas dorëheqjes, të njëjtit do të paguhen vetëm nga Beogradi.

Zoran Todiq kryetari i dorëhequr i Leposaviqit paguhet 11 mijë euro në vit si Kryetar i Autoritetit të Përkohshëm të Leposaviqit.

Milan Radojeviq kryetari i dorëhequr i Mitrovcës së Veriut do të vazhdojë të marrë pagë nga Serbia. Ai paguhet 12 mijë euro si Drejtor i Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut.

Dragisha Milloviq kryetar i Zveçanit gjithashtu do të vazhdojë të paguhet nga Serbia. Ai është zv/drejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut. Milloviq merr pagë 1 mijë e 400 euro në muaj.

Fakti që këta zyrtarë janë paguar nga dy shtete, ka qenë më herët edhe subjekt i hetimit nga Agjencia KundërKorrupsion e Kosovës.

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -