Arber Ramadani
Idetë e llojit “të kthehet dënimi me vdekje, të varet krimineli në shesh” nuk janë asgjë tjetër veçse përtaci e mendimit. Këto ide vijnë nga – siç i quante Niçeja – “te urtit e famshëm”.
Ata, pra “elita”. Këta përtacë që hiqen për të mençur s’bëjnë gjë tjetër, veçse e trashin sëmundjen, e zmadhojnë problemin.
Kushtet shoqërore se si zhvillohet një kosovar e bëjnë atë dhunues a subjekt dhunimi. Pra, ka shpjegim, lidhje shkakësore për pasojat, që s’duhet të na befasojnë.
Të shokuarit e të befasuarit me rastin e fundit të vrasjes së Liridonës nuk janë gjë tjetër veçse një tufë frikacakësh, që nuk e dinë se kush janë, nuk kanë guxim që ta shohin te vërtetën në sy. Pra, janë hipokritë që kanë nevojë për genjeshtrën, për të qëndruar peng të moraleve që nuk kanë pasur guxim t’i dekonstruktojnë.
Edhe një gjë mbi ngarendjen e feminizmit radikal për ta “uzurpuar” secilën temë të kësaj natyre, që me ose pa vetëdije shfrytëzon situata si kjo e fundit për ta uzurpuar debatin publik, për të shtyrë përpara kauza mashtruese. Feminizmi s’është e vërteta absolute e as religjion që duhet t’i falemi. Kur thua “s’më intereson motivi i veprës, s’më interesojnë motivet as shkaqet, unë dua ta kualifikoj kështu rastin, sepse i përshtatët agjendës sime”, ti, feminist a feministe e dashur, po mashtron.
Kthehemi te thelbi i kritikës sime. Delikuenca, kriminaliteti është njëri nga shqetësimet më të mëdha për njeriun. Shqetësim e problem kompleks, që do zgjidhje komplekse për t’u reduktuar si i tillë. Pra, s’ka zgjidhje të thjeshtë. Kriminaliteti s’çrrënjoset. Dënimi me vdekje s’e çrrënjos. Dënimi me vdekje s’është zgjidhja. Dënimi me vdekje s’është opsion.
Dënimi me vdekje është lloji më i keq i vrasjes. Është vrasje e paramenduar dhe e kryer nga shteti. Pra, siç thoshte filozofi francez, Albert Kamy: “Unë nuk e mbështes argumentin tim në simpatinë për të dënuarit, por në baza logjike dhe në statistika të vërtetuara.”
Në esenë e tij, “Reflektime mbi gijotinën”, ai gjithashtu na fton që të mendojmë nëse ekziston pafajësia absolute apo jo – qoftë edhe e atij që e shqipton dënimin.
“Në një botë jobesimtare, nuk ka asnjë autoritet absolut të aftë për ta dhënë gjykimin, pasi asnjë njeri nuk posedon vetë pafajësinë absolute”– thotë ai.
Paramendoni që në Kosovë dënimi maksimal është ai me burgim të përjetshëm. Është shqiptuar shtatë herë. Shtatë herë është rikthyer në rigjykim ose është ndryshuar vendimi. Çka nëse veç njëri nga këta individë të dënuar do të përfundonte i vdekur? Veç një jetë e humbur gabimisht në duart e shtetit është argumenti im kryesor kundër këtij dënimi. Kjo është beteja për dinjitet.
Pra, dënimi maksimal duhet të vendoset në lindje për jetën edhe për shkak të mundësisë së gabimit gjyqësor.
Vdekja duhet të jetë fati ynë i përbashkët, pavarësisht nga faji.
Tjetra: sa herë ndodhin vrasje të rënda, si kjo e Liridonës, apo më herët ajo e Marigona Osmanit, e raste të tjera të rënda, a dini se cili është komenti që e lexoj më së shpeshti, nga ti që e kërkon dënimin me vdekje? “Ku po shkojmë kështu, jemi bërë sikur në Teksas. Silleni dënimin me vdekje.”
A kuptoni se sa kundërthënës është ky koment? Teksasi ka ekzekutuar 586 persona që nga viti 1982. Pra, për ty që vazhdon ta kërkosh dënimin me vdekje, Teksasi vazhdon të jetë sinonim i kriminalitetit. Ky është paradoksi yt, komentues a folës publik i dashur, që s’mendon.
Dëshiron shoqëri paqësore e të sigurt, sikur ajo e Danimarkës, duke mos kuptuar se thelbi i ndërtimit të asaj shoqërie është beteja e tyre e fituar për dinjitet – për jetën.
Sigurisht se kjo betejë së pari duhet të fitohet kundër juve që predikoni për zgjidhjen e thjeshtë të gijotinës. Ta bindësh tjetrin se zgjidhja është te koncentrimi mbi faktorët e shkaqet më delikate që për përmirësim parakusht e kanë – thënë kushtimisht – “konduksionin” e më shumë se një gjenerate, sigurisht se s’është lehtë.
Sidoqoftë, kjo duhet të jetë beteja jonë – për jetën para vdekjes. Për dinjitetin para mizorisë. Për individin, para shtetit.
Pra, s’ka zgjidhje të thjeshtë. Kriminaliteti s’çrrënjoset. Dënimi me vdekje s’e çrrënjos. Dënimi me vdekje s’është zgjidhja. Dënimi me vdekje s’është opsion./Nacionale