8.1 C
Pristina
Friday, October 7, 2022
- Advertisement -

Deklaratat e Hillit në Beograd nuk kapërdihen lehtë në Kosovë, shkaktojnë reagime e kritika

Kosova dukej ‘e papërgatitur’ mbrëmë për një deklaratë të Christopher Hill, diplomatit të shquar amerikan të cilin kosovarët e kujtojnë si njërin prej kontribuesve për lirinë e vendit. Disa reagime erdhën pasi Hill e vlerësoi paraqitjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel. “Disa të tjerë s’ishin të përgatitur”, tha ai.

- Advertisement -

Kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të dielën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte kërkuar marrëveshje përfundimtare me 6 pika në takimin me të të enjten e javës së kaluar në Bruksel, mbështetësit e Kurtit në Kosovë duartokitën.

Kurti, ndërkaq, po qëndron i heshtur tash e gati një javë pas atij takimi. Për të është planifikuar që të flasë sot.

Paraqitja e Kurtit në takimin me Vuçiqin duket se s’i ka pëlqyer aspak ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill. Ai tha se Serbia shkoi e përgatitur në rundin e fundit të dialogut që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, por, palët e tjetra, siç tha Hill, nuk ishin të përgatitur “që të flasin për specifika”.

- Advertisement -

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill.

“Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”, shtoi ambasadori amerikan në Beograd.

Kjo deklaratë e Hill-it, diplomatit amerikan të cilin shqiptarët e mbajnë në mend të paktën prej përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund luftës në Kosovë në Rambuje, ka shkaktuar reagime.

- Advertisement -

Profesorin universitar, Fadil Maloku e ka frikësuar kjo deklaratë.

“Kjo po më frikëson pak…! Këtu nuk janë në pyetje çështjet (teknike) e tabelave, po çështjet (politike) e Asociacionit…!Zoti e bëftë hajr!”, shkroi Maloku në Facebook.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati shkroi kështu: “More Grenellit disi ia patëm bo çaren po çka me i bo Hillit”.

Gazetari Milaim Zeka ishte i ashpër në një reagim të tij për këtë deklaratë të ambasadorit Hill.

“Ambasadori Hill: -Pala serbe shkoi e pergaditur per dialog, pala tjeter, me demek Kosova, jo!Tash po pres kush po ha naj cope m** kunder ambasadorit amerikan, njeri nga baballaret e lirise, dhe pavaresise te Kosoves!Idiotate e politikes kosovare e lodhin edhe Ameriken!!!”, ka shkruar Zeka.

Mbështetësit e Kurtit patën kritika për Hill-in, e dikush e quajti “Grenelli i ri”.

Gati një javë pas takimit me Vuçiqin, është planifikuar që Kurti të flasë sot për dialogun, në një mbledhje të Qeverisë në orën 11:00.

Pasdite, i dërguari amerikan pë Ballkanin, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak do t’i shkojnë në zyrë Kurtit. Paraprakisht ata do të takohen me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa pas Kurtit do t’i takojnë krerët e partive opozitare.

Kosova e shtyu për 1 shtator zbatimin e vendimeve për targat e automjeteve dhe fletë-deklarimet në kufi si masë reciproke me Serbinë. Synimi i SHBA-së dhe BE-së është që këto ditë të luftojnë kundër kohës për t’i bërë Kurtin dhe Vuçiqin që ta nënshkruajnë një marrëveshje.

Kjo shihet edhe si përpjekje për parandalimin e një konflikti të mundshëm në Ballkan. NATO, ndërkaq, ka deklaruar disa herë se do të intervenojë nëse ka nevojë.

Amerika e ka prioritet këtë çështje dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është shprehur i gatshëm të përfshihet edhe personalisht nëse është nevoja për të arritur diçka përfundimtare, ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Blinken nuk do të hezitojë që të paktën t’i thërrasë në telefon Kurtin dhe Vuçiqin./express

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -