8.1 C
Pristina
E diel, 13 Tetor, 2024

Çfarë koncepti të mbrojtjes po planifikon Kosova?

- Advertisement -

“Mbrojtje gjithëpërfshirëse” është koncepti i ri në të cilin është duke punuar Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

- Advertisement -

Është ende në fazën e hartimit, por se përbën prioritet kryesor për të, thotë kjo ministri.

Ditë më parë, idenë e shpalosi vetë ministri Ejup Maqedonci, i cili, duke folur në Shqipëri, tha se koncepti i ri nënkupton që secilit qytetar t’i jepet rol në aspektin e mbrojtjes, sigurisë dhe emergjencave civile.

- Advertisement -

Ai tha se koncepti do të bëhet publik së shpejti, por nuk specifikoi më shumë.

“Ne vlerësojmë se qytetarët, institucionet dhe çdo individ duhet ta dijë rolin e tij në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, por edhe në aspektin e mbrojtjes civile”, tha Maqedonci.

Radio Evropa e Lirë u përpoq të bisedojë direkt me të, por nuk mori përgjigje pozitive.

- Advertisement -

Nga institucioni që ai udhëheq, u tha se koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse është “në përputhje me rrethanat e krijuara viteve të fundit”, kur “strategjia e luftës dhe e interferimit në shtete, me qëllim destabilizimin, ka ndërruar dukshëm, duke u bërë më hibride se kurrë”.

“Ky koncept përbën një plan reagimi kombëtar të të gjithë shoqërisë, në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, kur ka nevojë për masa mbrojtëse emergjente”, tha Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë konkretisht do të bëjnë qytetarët, si do të përgatiten për mbrojtje, nga kush dhe për sa kohë.

Tha se roli i Ministrisë së Mbrojtjes, si organ koordinues, do të sigurojë që “shteti të jetë në gjendje të operojë në kushte të kërcënimit ushtarak, t’i ristrukturojë shpejt aktivitetet” dhe “t’i mobilizojë burimet e nevojshme për mbrojtje”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej vitesh, ka paralajmëruar se do ta jetësojë shërbimin e obligueshëm ushtaraknë vend, por, deri më tash, nuk ka pasur ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

E pyetur nëse është hequr dorë nga kjo ide, Ministria e Mbrojtjes nuk u përgjigj.

“Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk mund të ndajmë informacione të tjera”, tha në përgjigje.

Si e komentojnë qytetarët konceptin e paralajmëruar të mbrojtjes gjithëpërfshirëse?

Ndonëse pa shumë informacione për konceptin e ri, shumë prej qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë thonë se do të ishin të gatshëm, në parim, për t’iu përgjigjur ftesës eventuale të institucioneve të vendit, për të dhënë kontributin e tyre.

“Për mua është e pranueshme dhe i bëj apel shtetit që të ketë interes në këtë çështje. Me profesion jam ekolog. Në shërbim të vendit do të kisha hapësirë edhe kohë për gjithçka”, thotë Egzon Aliu, duke iu referuar edhe mundësisë për stërvitje ushtarake për kohë të caktuar.

Rinesa Koca thotë, po ashtu, se do t’i përgjigjej pozitivisht ftesës eventuale të institucioneve për t’u stërvitur për mbrojtje.

“Është diçka interesante të mësosh [mbrojtjen], sidomos kur e di motivin. Motivi është gjithmonë që ta duash vendin dhe ta mbrosh atë”, shprehet Koca.

Berlind Gajraku mbështet idenë që qytetarët të marrin njohuri bazike të mbrojtjes.

“Për çfarëdo nevoje, kur të thërret vendlindja, je i gatshëm. Kur i gjen dy javë kohë për të shkuar në pushim, besoj se gjen kohë edhe për këtë [aftësimin për mbrojtje]”, thotë ai.

E, Ariana Radoniqi shpreh mendim ndryshe.

“Jam ekonomiste me profesion. Mund të jap kontribut në atë profil, në atë fushë. Mirëpo, të marr pjesë në ushtri ose të marr trajnime në atë aspekt, jo. Personalisht, nuk kam dëshirë”, thotë ajo.

A është e nevojshme mbrojtja gjithëpërfshirëse?

Ministri Maqedonci tha se ky koncept i mbrojtjes nuk ndërtohet për t’iu kundërvënë dikujt.

“E kemi ndërtuar këtë koncept për t’iu kundërvënë sfidave, rreziqeve të kohës. Ky koncept ka qenë i nevojshëm edhe më herët”, tha ai.

Rreth dy javë më parë, Maqedonci, gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, e informoi edhe këtë trup se dikasteri i tij është duke hartuar konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse.

Nënkryetari i këtij komisioni, Enver Dugolli, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, thotë se Maqedonci njoftoi për qëllimin e konceptit, i cili, sipas tij, është më i madh se vetë shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Dugolli sqaron se koncepti nënkupton që qytetarët të mos jenë pasivë, por të kenë një përgatitje të nevojshme për gjendjet e jashtëzakonshme, të luftës apo ato emergjente.

Sipas tij, zhvillimi i këtij koncepti nuk e pengon Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të shndërrimit në ushtri, por ”synon t’i bashkojë të gjithë komponentët e sigurisë, që të funksionojnë si një trup në situata emergjente, të ndjeshme apo në rast lufte”.

“Ky koncept synon që t’i bëjë të gjithë hisedarë në mbrojtje, siguri. Pra, që të kemi një lloj databaze të strukturuar, e cila na jep një pasqyrë të qartë për kapacitetet që posedon Republika e Kosovës”, thotë Dugolli.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Hisen Berisha, i cili është edhe anëtar i Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, e cilëson si të papranueshëm konceptin e përfshirjes së qytetarëve në stërvitje për mbrojtje, por edhe opsionin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Sipas tij, Kosova është përcaktuar për konceptin e një ushtrie profesioniste dhe jo për konceptin gjithëpërfshirës, sepse vetëm “ushtarët profesionistë janë luftëtarë dhe jo ushtarët e shërbimit të detyrueshëm”.

“Koncepti i të bërit të të gjithë qytetarëve ushtarë dhe për të shërbyer nga pozicioni ku janë ata, është thjesht kamuflim, për të mbuluar dështimin e një objektivi që kishin vendosur më parë dhe për ta shndërruar në një kauzë mashtruese për efekte elektorale, për të marrë votën e qytetarëve”, thotë Berisha, duke aluduar në zotimin e mëhershëm të Kurtit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Për më tepër, shton ai, në mbrojtjen e vendit dhe të sigurisë së tij, përveç FSK-së, janë të përfshira edhe disa organizata dhe agjenci, si Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare për Inteligjencë, Agjencia e Emergjencave, dhe “nuk është i domosdoshëm roli i qytetarëve”.

Si e shohin ekspertët?

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se roli i qytetarëve në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse nënkupton edukimin e tyre për mbrojtje, duke mos përjashtuar as stërvitjet praktike.

Në këtë kontekst, ai thotë se zbatimi i konceptit që Ministria e Mbrojtjes po e zhvillon aktualisht, mund të jetë problematik.

“Kjo është e pamundur të realizohet pa pasur një sistem, i cili qytetarët i obligon për të marrë pjesë në vetëdijesimin, edukimin e tyre, se çfarë roli do të duhej të kenë”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se, në rast se arrihet të bëhet përfshirja e rolit të qytetarëve në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, kjo nënkupton se ata do të jenë të detyruar t’i përgjigjen ftesës së institucioneve, sikurse në rastin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Vrajolli thotë se pa shërbim të detyrueshëm ushtarak, nuk mund të funksionojë as koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse.

“Këto të dyja, mendoj se janë të pandashme nga njëra-tjetra. Nëse ato nuk bashkohen me njëra-tjetrën, atëherë mendoj se të dyja janë thuajse të pazbatueshme”, thotë Vrajolli.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është në fuqi në disa vende të botës, përfshirë Suedinë, Greqinë, Zvicrën etj.

Në rajon, çështja është aktualizuar së voni në Serbi dhe në Kroaci. Në janar të këtij viti, në të dyja këto vende është iniciuar apo diskutuar çështja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Situata e sigurisë në Kosovë

Në shtator të vitit të kaluar, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin verior, Banjskë, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Sulmi u përshkrua si një nga incidentet më të rënda ndër vite dhe ndodhi pas disa muajsh tensione të larta midis Kosovës dhe Serbisë.

Pas tij, Serbia grumbulloi trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që u dënua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan si “veprim shumë destabilizues”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk e ka ndërmend t’i urdhërojë forcat ushtarake ta kalojnë kufirin dhe, pak ditë më vonë, i tërhoqi ato.

Kosova e akuzoi Beogradin për sulmin në Banjskë, por zyrtarët atje mohuan se kanë gisht.

Përgjegjësinë e mori në fund Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.

Nga ajo kohë, autoritetet e Kosovës përsërisin vazhdimisht se Serbia përbën rrezik për Kosovën.

Dy vendet janë të angazhuara në një proces negociatash për normalizimin e marrëdhënieve, por marrëveshjet e arritura ndër vite, kanë gjetur pak zbatim.

Bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë te të dyja për t’i normalizuar marrëdhëniet, sidomos nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -