fbpx
1.1 C
Pristina
E martë, 31 Janar, 2023

Çfarë e shtyu Vuçiqin të kërkojë kthimin e ushtrisë, ish-diplomati britanik ka disa ide

- Advertisement -

Duhet Lexuar

Ish-diplomati britanik, Timothy Less i ka disa hipoteza për t’i dhënë shpjegim kërkesës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për kthimin e forcave policore dhe ushtarake serbe në Kosovë. KFOR-i ia refuzoi atë dhe Vuçiq foli i inatosur në funjavë. Ka mundësi, thotë Less, që kjo kërkesë të jetë përgatitje e opinionit publik në Beograd për njohjen e Kosovës brenda kufijve ekzistues. Por, ai ka edhe një tjetër shpjegim, që sipas tij është “më i mundshëm”. Veriu i Kosovës s’mund të bëhet pjesë e Serbisë pa luftë, thotë Less, por shton se “Vuçiq i frikësohet hakmarrjes nga Perëndimi”.

Studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it, Timothy Less thotë se nuk mund të jetë i sigurt për motivin që e shtyu presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për t’i kërkuar KFOR-it kthimin e forcave policore dhe ushtarake serbe në Kosovë.

Por ai i ka disa opsione se cilat mund të kenë qenë motivet që e kanë shtyrë Vuçiqin ta bëjë këtë.

- Advertisement -

“Është e mundur që kërkesa e Serbisë për të vendosur trupa në veri të Kosovës ishte pjesë e një plani për të vërtetuar se ky nuk ishte një opsion dhe për ta përgatitur opinionin publik serb për një rezultat të negociuar, në të cilin Serbia e njeh Kosovën brenda kufijve të saj ekzistues, pa bërë luftë”, tha Less në një përgjigje për Gazetën Express.

“Megjithatë, dyshoj”, thekson ish-diplomati, duke shtuar një tjetër shpjegim.

“Për mendimin tim, shpjegimi më i mundshëm është se Vuçiq ka frikë për sigurinë e serbëve në veri të Kosovës dhe dëshiron t’i mbrojë ata nga veprimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai gjithashtu do të dëshironte ta mbante veriun e Kosovës si pjesë të Serbisë, gjë që praktikisht mund të arrihet vetëm duke e pushtuar atë ushtarakisht. Në të njëjtën kohë, Vuçiq i frikësohet hakmarrjes nga Perëndimi, kështu që nuk donte të vendoste trupa serbe pa pëlqimin e tij, dhe Rezoluta 1244 e OKB-së ofron një mjet ligjor për Serbinë për ta bërë këtë”, tha Less.

Ndërsa rezultati më i mundshëm, ishte refuzimi i Perëndimit, gjë të cilën e priste edhe Vuçiqi. Në këtë pikë, Less thotë se Serbia megjithatë “nuk ka humbur asgjë me këtë”.

- Advertisement -

Refuzimi dhe inatosja e Vuçiqit

Pasi e “pastroi” veriun e vendit duke i hequr barrikadat e fundit nga rrugët, KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s ia refuzoi Serbisë kërkesën për kthimin e forcave policore dhe ushtarake në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se përgjigjen e kishin marrë të premten në pikën kufitare në Merdar. As ministria serbe nuk tregoi fillimisht se përgjigjja ishte negative.

- Advertisement -

Fillimisht, KFOR-i vetëm bëri të ditur se përgjigjen ia kishte dorëzuar një përfaqësuesi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, pa treguar më shumë detaje.

“Ne mund të konfirmojmë se përgjigjja ndaj kërkesës serbe është dërguar, por s’mund të futemi në detaje të kësaj korrespodence”, i tha Expressit një zëdhënës i KFOR-it.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas dy ditësh doli për të treguar se i ishte refuzuar kërkesa për dërgimin e deri në 1000 trupave në Kosovë.

“KFOR-i na u përgjigj se nuk ka nevojë që forcat tona të kthehen në veri të Kosovës, siç e prisnim, edhe pse sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën tonë sepse ata nuk pyeten për këtë”, tha Vuçiq të shtunën.

Ndonëse e la të hapur mundësinë që Beogradi zyrtar t’i drejtohet Organizatës së Kombeve të Bashkuara që t’i kërkojë të deklarohet për këtë në seancën e Këshillit të Sigurisë, Vuçiq tha se rezultati do të ishte i njëjtë.

“Çfarë do të bëjmë pas asaj seance, ta lëmë Kurtin të komentojë se si na refuzoi edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Vuçiq.

Presidenti serb nuk e përpiu lehtë këtë, duke thënë se “kjo flet për të gjithë ata dhe për qëndrimin e tyre ndaj popullit serb”. Ai e ka lidhur këtë me rastin e ekstradimit të dikur shefit të tij, Sllobodan Millosheviqit në Hagë për festën e Vidovdanit në vitin 2001.

“Por ata nuk iu referuan një pjese të rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë ta refuzojnë atë kërkesë. Ata iu referuan rregullës normative për ta ruajtur rendin. Ata bënë një gabim tjetër. Një herë kërkuan nga autoritetet e bindura në Beograd që ta ekstradojnë Millosheviqin për Vidovdan, kështu që këtë e dorëzuan në prag të Krishtlindjes. Në prag të Krishtlindjes, nëse marrim një përgjigje negative, e dimë se nuk është rastësi”, ka thënë Vuçiq, duke përsëritur disa herë se kjo “nuk ishte rastësi”.

Serbia në mes të dhjetorit ia dorëzoi zyrtarisht KFOR-it një kërkesë lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe misioni paqeruajtës i NATO-s e shqyrtoi atë për disa kohë.

Por Serbia nuk priste përgjigje pozitive

Në Beograd nuk po prisnin përgjigje pozitive.

Kryenegociatori serb në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq e kishte cilësuar historike ditën kur Serbia i kërkoi KFOR-it kthimin e trupave policore dhe ushtarake në Kosovë.

Duke mos pasur pritje të larta, Petkoviqi kishte thënë se me këtë lëvizje Vuçiqi e vuri Perëndimin “në një situatë shumë të vështirë”.

“Është e qartë se Perëndimi nuk dëshiron të lejojë kthimin e forcave tona të sigurisë në Kosovë, por me një kërkesë të bazuar dhe të argumentuar, presidenti Vuçiq i ka vënë në një situatë shumë të vështirë sepse nuk mund ta gjejnë një justifikim të thjeshtë për refuzimin dhe për këtë arsye jemi dëshmitarë të një zvarritjeje të tillë”, tha Petkoviq në fund të vitit në një intervistë në njërën nga mediat e kontrolluara nga Vuçiqi.

Këto media kishin raportuar dje se kishte të shtëna me armë zjarri në veri. Sipas tyre, kishte “përleshje” të cilat pretendohej se kishin ndodhur të dielën mes forcave policore të Kosovës, të cilat u tha se “u pëpoqën ta hiqnin një barrikadë” të ngritur nga serbët. Policia e Kosovës mohoi pretendimet.

Vuçiqi e kishte çuar shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë afër kufirit me Kosovën, atje ku më pas i solli edhe një varg automjetesh ushtarake, përfshirë gjashtë topa me rreze të gjatë veprimi.

Policia dhe ushtria serbe dhe janë tërhequr nga Kosova në verë të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës.

Prej atëherë, në Kosovë u vendos KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s i cili aktualisht ka rreth 3.600 trupa.

- Advertisement -

Të fundit

Të gjitha garancitë që iu ofruan për Asociacionin, a do të bindet Kurti?

Kryemininistri Kurti nuk do Asociacion njëetnik, ndërsa zyrtarët e lartë amerikanë e sigurojnë se nuk do të jetë i...
- Advertisement -

Më shumë

- Advertisement -