Çfarë dihet për propozimin franko-gjerman?

Nuk ka asgjë konkrete”.
“Është joserioze ta hedhësh nga dritarja propozimin franko-gjerman”.

“Gjithçka që vjen nga vendet evropiane duhet marrë seriozisht”.

Këto janë vetëm disa nga deklaratat e zyrtarëve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë në lidhje me të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, i cili do të duhej të hapte rrugë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Rreth një muaj më parë në opinion dolën informacione se Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë një propozim se si të zgjidhet kontesti i kahershëm ndërmjet dy vendeve.

-Advertisement-

Që nga viti 2012, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një dialog politik për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së. Aktualisht synohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve, gjë që ende nuk ka ndodhur. Dialogu është ndërprerë disa herë. Në vitin 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë, të cilën Serbia nuk e njeh.

Cili është propozimi franko-gjerman?

Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht. Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e kanë konfirmuar ekzistimin e një dokumenti të tillë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmes deklaratave të tyre, kanë konfirmuar se kanë njohuri për një propozim të tillë. Vuçiç, më 8 tetor, tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se Serbia nuk do të “poshtërohet më tej dhe nuk do të detyrohet ta njohë zyrtarisht Kosovën”, por, duke mos reaguar, do të jepte sinjal të heshtur se pajtohet. Siç tha ai, kjo është e papranueshme për Serbinë, por shtoi gjithashtu se është e papërgjegjshme dhe joserioze që propozimi franko-gjerman të hidhet nga dritarja.

Më 18 tetor, Vuçiç përsëriti se thelbi i propozimit të Gjermanisë dhe Francës është që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Për këtë, siç tha ai, Serbia do të kishte “hyrje të shpejtë në BE dhe ndoshta përfitime të konsiderueshme ekonomike”.

Çfarë kanë thënë në Kosovë?

Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë anëtaret e BE-së që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Më 10 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi (të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi) Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.

“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare, që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”, tha Kurti dhe shtoi se, për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t’i hedhë në opinion idetë.

Më 9 tetor, Kurti deklaroi se është optimist se në muajt e ardhshëm do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë. Më pas, kryeministrit i Kosovës tha se “kanë mbetur më pak se dy vjet për të arritur marrëveshje me Serbinë”. Ndërkaq, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, konfirmoi për mediat në Prishtinë se ka një afat, brenda të cilit Prishtina zyrtare duhet të deklarohet nëse e pranon propozimin franko-gjerman.

Çfarë thanë të dërguarit e posaçëm?

Javën e kaluar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i pyetur për të komentuar propozimin franko-gjerman, tha se tani është momenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Më 19 tetor, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në Prishtinë, në lidhje me propozimin franko-gjerman, tha se “çfarëdo që të propozojnë vendet evropiane në lidhje me dialogun, duhet marrë seriozisht”.

“Ne do ta mbështesim atë”, tha Escobar.

Ai shtoi se, siç i është shpjeguar, “ky propozim do ta zhbllokonte Kosovën, por potencialisht edhe Serbinë, në rrugën e integrimeve euroatlantike”. Ai tha se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes, duke theksuar se ka dëgjuar nga kolegët nga Evropa se kjo është “çështje javësh dhe jo vitesh”.

Escobar sqaroi se bëhet fjalë për një marrëveshje për hapat e ardhshëm. Edhe pse, siç thuhet në opinion, propozimi franko-gjerman nuk parasheh njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë, Escobar tha se kjo do të ndodhë dikur – çështja është vetëm se kur do të ndodhë.

Çfarë thanë analistët?

Dushan Janjiç, nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Beograd, tha në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë se dokumenti franko-gjerman u publikua si një “pyetje testuese”.

“Nuk e di se me marrëveshjen e kujt është bërë kjo – pra, të çështjes së statusit, çështjes së definimit të zgjidhjes përfundimtare. Dhe, ajo sillet nëpër opinion. Unë, me sa di, ka mjaft çështje brenda, përndryshe kjo letër do të ishte e padobishme. Kjo letër bart qëndrimin e Gjermanisë dhe Francës. Për të duhet të deklarohen Prishtina dhe Beogradi, por do të shohim reagime edhe të Britanisë [së Madhe]. Do të ishte ideale që një ditë, [propozimi] të shndërrohet në platformë të përbashkët për negociata”, tha Janjiç.

“Mendoj se ky është fillimi i fushatës që të pranohet ky model. Cili është ky model? Disa e quajnë si ‘modeli i dy Gjermanive’ dhe kjo është e mira e kësaj letre. Mendoj se në këto rrethana, as Prishtina dhe as Beogradi nuk do të marrin ofertë më të mirë. E ajo është që Serbia të pranojë ekzistencën e Republikës së Kosovës. Pra, që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës [në organizata ndërkombëtare] dhe të bashkëpunojë me Kosovën, kur kanë interesa të përbashkëta në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara”, u shpreh Janjiç.

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe një bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikat e demokratizimit në Berlin, i tha Radios Evropa e Lirë, më 19 tetor, se për momentin, askush nuk e di se çfarë përmban konkretisht propozimi franko-gjerman.

Ai tha se propozimi mund ta ndryshojë rrjedhën e dialogut, por vlerësoi se Kosova dhe Serbia janë ende larg një marrëveshjeje përfundimtare.

A është i nevojshëm propozimi franko-gjerman dhe pse?

Kurti dhe Vuçiç aktualisht janë duke zhvilluar një dialog të nivelit më të lartë politik, i cili filloi në vitin 2012 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Për shkak të qëndrimeve konfrontuese të dy palëve, në disa raste gjatë viteve të kaluara, ka pasur bllokim apo ndërprerje të dialogut.

Janë nënshkruar më shumë se 30 marrëveshje në fusha të ndryshme, por shumica e tyre nuk janë zbatuar plotësisht.

Në vitet e fundit ka pasur rritje të tensioneve në terren, pas të cilave përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar shpesh janë nisur në “mision” për uljen e tyre përmes së ashtuquajturës diplomaci fluturuese.

Një krizë e tillë ndodhi më 31 korrik, kur disa serbë lokalë në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, edhe një herë ngritën barrikada, me qëllim që ta pengonin Qeverinë e Kosovës që t’i zbatonte vendimet për riregjistrimin me targa të Kosovës të automjeteve që bartin targa të paligjshme të lëshuara nga Serbia, si dhe për lëshimin e dokumenteve për qytetarët serbë, të cilat do të zëvendësonin letërnjoftimin e tyre. Praktikën e tillë me dokumente, Serbia e ka përdorur me vite për qytetarët e Kosovës.

Pas “ndërhyrjes” së diplomatëve të huaj, situata u stabilizua, por komuniteti ndërkombëtar ua bëri të qartë palëve se nuk do të “toleronte më” destabilizimin.

Kështu, më 4 shtator, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i kanë bërë thirrje Kurtit dhe Vuçiqit që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë kah përparimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më pas, ata vendosën që këshilltarët e tyre, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, të “ndihmonin” Kurtin dhe Vuçiqin në marrjen e atyre vendimeve të vështira.

Shumë shpejt në opinion u shfaqën informacione se këto dy vende kishin bërë edhe një propozim se si Kosova dhe Serbia mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.

Ndërkaq, qytetarë të anketuar në Prishtinë dhe Beograd, siç mund të dëgjohet në këtë anketë, konfirmojnë se pak dinë për këtë propozim./REL