Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se arsyeja e shkarkimit të Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka qenë mos zgjidhja e problemit të mbeturinave në kryeqytet.
“Sot jemi në shkurt edhe e kemi problemin e madh me mbeturina. Pra nuk kam pasur në mundësi tjetër përveç që me e ndërrua drejtorin për arsye të mundësisë për me e zgjedhë problemin e mbeturinave”, tha Rama.
Ai mohoi se shkarkimi i drejtorit Ilirik Musliu ka të bëjë me çështje të tjera apo probleme brenda koalicionit.
“Unë gjithmonë kam diskutu për rezultate. Rezultatet janë ato aspektet të cilat mua më interesojnë edhe si rezultat i rezultateve, të cilat nuk kanë qenë të nivelit të pritshmërisë time në dikastere të ndryshme, në këtë rast e drejtorisë së Shërbimeve Publike, ku si pjesë e problemeve të mëdha është edhe zgjedhja e problemit të mbeturinave. Kjo është një çështje që e kemi diskutuar vazhdimisht edhe faktikisht kemi pasur një numër të madh të datave të ndryshme ku edhe i kam vendosur për zgjidhjen e problemit të mbeturinave”, tha Rama në CONTEXT të ATV,
Ai tha se ka kërkuar që problemi i mbeturinave të zgjidhet edhe duke shikuar mundësinë e prurjes së sektorit privat në pamundësi që ky problem të zgjidhet me kompaninë “Pastrimi”.
“Kam kërkuar që problemi i zgjedhjes së mbeturinave të menaxhohet, pra te menaxhohen proceset edhe të mundësisë të aspektit të prurjes së sektorit privat në pamundësi që ne ta zgjedhim problemin e mbeturinave me kompaninë “Pastrimi”. Me kompaninë “Pastrimi” kemi pasur probleme shumë të mëdha, edhe përkundër faktit se ne kemi subvencionu me muaj të tërë, kemi dhënë subvencionime shtesë që t’i ndihmojmë kompanisë “Pastrimi””, tha Rama.