10.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Bizneset amerikane ia mësyejnë Kosovës, ia “zënë” dyert Osmanit e Kurtit

- Advertisement -

Pesë ditë pas ‘marrëveshjes’ së arritur në Bruksel, një delegacion i lartë i zyrtarëve dhe bizneseve të ndryshme amerikane ua “zuri” dyert krerëve të shtetit të Kosovës. Temat kryesore të takimeve ku nikoqirë ishin presidentja Osmani e kryeministri Kurti ishin investimet në Kosovë.

- Advertisement -

SHBA-ja u bë mbështetëse e fortë e propozimit që gjermanët dhe francezët e dhanë për të zgjidhur konfliktin ballkanik. Në rast të pajtimit mes palëve, nga amerikanët erdhën mesazhe se do të ketë përfitime të mëdha për qytetarët e të dyjave vendeve nëse vendosin të dalin nga ngërçi historik.

Por, a mund të shihet ardhja e këtij delegacioni të lartë amerikan si shpërblim për Kosovën që ia dha dritën jeshile propozimit të BE-së?

- Advertisement -

Për këtë Gazeta Express ka kontaktuar drejtorin e Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili shpjegoi vizitën, qëllimin dhe natyrën e saj.

“Unë nuk e shoh të ndërlidhur me pajtimin e Kosovës dhe Serbisë rreth planit evropian për normalizim të raporteve, meqë vizitat e tilla planifikohen shumë më herët”, tha ai.

Zeka tha se vizitat në vendet e Europës janë të zakonshme për delegacionet e tilla që kanë synim nxitjen e investimeve në fushën e energjisë së ripërtëritshme.

- Advertisement -

“Vizita e fundit e përfaqësuesve të disa prej korporatave më të mëdha amerikane ndodhi në kuadër të një nisme të Zyrës së Partneriteteve Globale të Departamentit të Shtetit Amerikan, përmes të cilit synohet nxitja e partneritetit dhe investimeve në fushën e energjisë së ripërtërishme, por edhe vendosja e bashkëpunimit ndërmjet sektorëve publikë dhe privatë të SHBA-së dhe Kosovës. Vizita të delegacioneve afariste amerikane nga industri të ndryshme e nën organizimin e Qeverisë amerikane në shtete të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, janë të rëndomta, derisa delegacioni i bizneseve nga fusha e energjisë para se të arrinte në Kosovë ishte edhe në Maqedoninë e Veriut”.

Muajve të fundit është raportuar për rënie të raporteve Kosovë-SHBA për shkak të qasjes së Qeverisë në negociata.

Ambasadori i SHBA’së, Jeff Hovenier, publikisht kishte folur për disa vizita të ministrave të Qeverisë Kurti në SHBA që ishin shtyrë për shkak të tensioneve në Veri.

“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare, duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier.

Në takim me delegacionin e lartë amerikan, që fillimisht shkuan në Presidencë, presidentja Osmani ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, si dhe fuqinë e re e të kualifikuar punëtore, siç kishte njoftuar zyra e saj.

Osmani aty foli për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit. Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.

Po ashtu, shefja e shtetit u përkujdes të tregonte edhe për sundimin e ligjit në Kosovë, duke thënë se progresi i cili njihet edhe ndërkombëtarisht, është indikacion i përkushtimit të palëkundur për rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Ndërkaq, kryeministri Kurti delegacionin e priti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Bashkë me delegacionin amerikan, te Kurti ishte edhe ambasadori Jeff Hovenier.

Para se të fliste për progresin ekonomik, Kurti mysafirëve të tij iu foli për veçantinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve.

“Si histori e dyfishtë e suksesit, e intervenimit të suksesshëm ndërkombëtar në pranverën e vitit 1999 dhe e bashkëdyzimit të demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik, Kosova është një histori në të cilën ia vlen të investohet”, kishte thënë në takim Kurti.

Përfaqësuesja Speciale për Partneritete Botërore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Dorothy McAuliffe, tha se vizita e këtij delegacioni është në frymën e partneritetit, “partneritet ky që është i fortë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës dhe me prioritet për SHBA-në”.

Kompanitë amerikane Honeywell, GE Power, Siemens Energy, Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të kontribuar në planet e Kosovës për zhvillim të sektorit të energjisë. Përfaqësuesit e këtyre kompanive prezantuan punën e tyre dhe teknologjitë të cilat ofrojnë, të cilat janë në linjë me Strategjinë e Energjisë, si dhe projektet kryesore të Qeverisë për këtë sektor.

Një delegacion i madh i biznesmenëve amerikanë kishte qëndruar në Serbi në fund të tetorit të vitit të kaluar.

Siç thuhej në njoftimet për media në kryeqytetin serb kishin qëndruar përfaqësues të kompanive më të mëdha amerikane./Express

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -