Aksion për kapjen e mashtruesve të “Call Center” në Kosovë, arrestohen 14 persona

    Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, ka zhvilluar një aksion policor në disa qendra të thirrjeve të njohura si ‘Call Center’ në disa lagje të Prishtinës, ku janë arrestuar katërmbëdhjetë persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor i cili është shtetas i huaj.

    Prokuroria Speciale njofton se ky hetim disa mujor është bërë në bashkëpunim edhe me Autoritetet Gjermane.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes “Qendër të Thirrjeve” në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë. Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime. Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet.

    -Advertisement-

    Të njëjtit me këto veprime kanë kryer veprat penale ‘’Hyrja në sistemet kompjuterike’’ nga neni 327, ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 si dhe ‘’Shpëlarja e parave’’ nga neni 302.

    Po ashtu, në cilësi të provave gjatë këtij aksioni janë sekuestruar sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedurë të mëtutjshme:

    – 2 vetura;

    – 167 kompjuter desktop;

    – 3 kompjuter laptop;

    – 21 telefona mobil;

    – 2 DVR;

    – 2 HDD;

    – 2 USB memorie;

    – Dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike relevante për rastin.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 14 personat e arrestuar dërgohen në mbajtje prej 48 orësh.