Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka adresuar akuza të ashpra ndaj qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti.
Lideri i partisë opozitare ka thënë se Kosova sot s’ka kryeministër dhe as qeveri, por një populist dhe paranojak, i cili në politikat e tij vendimmarrëse frikësohet edhe nga vetja.
Abdixhiku: Kosova sot s’ka kryeministër, por populist dhe paranojak
“Kosova sot s’ka qeveri dhe as kryeministër, ka disa populistë që në paranojën e tyre vendimmarrëse frikësohen edhe nga vetja…
Në vend të politikave që përmirësojnë jetën tuaj, ne vazhdojmë të udhëhiqemi nga demagogë që politikën dhe argumentet i përdorin si populizëm, që paranojën dhe paaftësinë e kanë si rezultat.
Populizmi nuk sjell çmime të përballueshme për ju, nuk sjell vende të punës, as cilësi në shërbime dhe arsim dhe shëndetësi…
Sot çmimet e produkteve bazike, të shportës tuaj konsumatore, kanë marrë goditjen më të madhe në gjithë historinë dy dekadash të Kosovës së lirë.
Asnjëherë më parë, inflacioni i çmimeve nuk ka arritur 13% për një vit.
Asnjëherë më parë, ju nuk keni paguar 2 euro për një litër naftë. Asnjëherë më parë, faturat e energjisë suaj, nuk janë shtrenjtuar 100% dhe atë jashtëligjshëm…
Ky pushtet popullist ka vendosur të dënojë qytetarët tanë vetëm pse të njëjtit kanë preferenca politike të tjera”, ka thënë ai.
Në takimin e dytë regjional në Komunën e Vitisë, Abdixhiku para qytetarëve tha se LDK-ja ka nevojë të dëgjojë zërin qytetar.