-1.2C
Pristina
8 Mars, 2021 - 04:42

21 vite pas luftës e pa veten në fotografinë e KFOR-it, rrëfimi prekës i shqiptarit nga Kosova

Përgjatë viteve të 90’ta, përderisa shumica e fëmijëve të botës jehonin me të qeshura të lojës, fëmijët e Kosovës dëgjonin çdo ditë zërat e luftës. Një ndër ta ishte djaloshi 6 vjeçar nga Polaci i Skenderajt, Shaban Xani.

Në sytë e Shabanit në atë kohë nuk mund të dallohej dëshira e fëmiut për fluturaket në qiell, sepse qielli i vendit të tij ishte i mbushur nga aeroplanët e NATO-s, si një shkëndijë shprese për shpëtimin e Kosovës.

Ishte gushti i vitit 1999, kur Shabani kishte një pamje ndryshe. I veshur me një xhemper ngjyrë rozë, pantallona të zeza, fytyrë të hutuar që nuk mund ta perceptojë deri ku mund të shkojë fati i njerëzve, ai la gjurmë në historinë e fëmijëve të Kosovës.

Ishte pikërisht fotografia e shkrepur nga ushtarët e KFOR-it, ajo e cila do të kthente kujtesën e tij 21 vite pas për atë që kishte kaluar. Teksa ditë më parë në rrjete sociale, u shpërnda kjo fotografi, Shaban Xani vendosi që rrëfimin e fotografisë që e kishte parë për herë të parë në jetën e tij, ta ndaj me KultPlus.

“Fatmirësisht kur e shikova për herën e parë pas 21 viteve ishte vërtetë, me sinqeritetin më të lartë të fjalës “Befasi e ëmbël”, e papritur dhe shumë emocionale”, nis rrëfimin e tij djaloshi 27 vjeçar nga Skenderaj.

Tanimë ai është rritur, mbi themelet e dhimbjeve që ka lënë lufta edhe në familjen e tij si në çdo familje tjetër, ka krijuar një jetë të re. Si student i shkëlqyeshëm në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës përgjatë studimeve bachelor, tanimë ai po vazhdon edhe me studimet për titullin master, teksa përgjatë karrierës së tij ka qenë bankier, kontabilist dhe menaxher.

Fotografia e cila e ktheu në kohë i ngjalli nostalgji, teksa nuk mund t’i besonte syve se protagonisti i saj ishte vetë ai.

“Mendoja me veten vallë se si dhe nga kush erdhi kjo befasi e këndshme e në ndërkohë duke e shikuar fotografinë sikur nëpër një mjegull kalonin mendimet e mia për atë kohë”, thotë Xani.

Rrëfimin e tij për fotografinë e tregon me plotë emocion, teksa rrëqeth këdo që ka kaluar nëpër të njëjtat rrugë përgjatë historisë.

“Më kujtohet sikur sot, ishte pikërisht gushti 1999, isha së bashku me gjyshin në atë kohë dhe po kalonim nga rruga aty pari dhe u ndalëm tek vendi ku ndodhej ky lloj i armatimit (gëzhoja e gjyles e hedhur nga tanket nga ushtria serbe)”, shprehet Shaban Xani.

Ai tregon se në atë vend ndodheshin ushtarët e KFOR-it bashkë me një përkthyes shqiptar, teksa kështu edhe kishte lindur ideja e fotografisë që na ktheu në retrospektivë.

“Njëri prej ushtarëve më ofroi afër gëzhojës së gjyles së tenkës, njëri nga ushtarët me preku faqet dhe një zgjatje duarsh të përcjella me një buzëqeshje sikur një fitore e vërtetë”, përshkruan me emocion studenti i Universitetit të Prishtinës.

Natyrisht, pesha e gjylës së topit, pavarësisht pse ishte e zbrazët ishte e madhe për ta mbajtur një 6 vjeçar, andaj ushtarët aty pranë e ndihmuan.

“Ushtari i KFOR-it u afrua dhe e kthej gjylen e topit nga përshkrimi që të dukeshin shkronjat tamam, e që unë vetëm e dija që nuk ishin në gjuhën shqipe. Sot kur e pashë fotografinë e vërejtëm se shkronjat janë lloj i shkrimit i njohur si ciliricë”, thotë Shaban Xani.

I mbështjelle me pafajësinë fëminore, Shabani u bë një dëshmitar i asaj çfarë ka kaluar Kosova nëpërmjet shkrepjes së fotografisë nga ushtarët në fjalë.

Si për gjithë popullatën shqiptare, shteti serb nuk pati mëshirë as për zhvendosjen e familjes së Shaban Xanit, aq më shumë kur ata jetonin në rrethin prej ku kishte dal heroi kombëtar, Adem Jashari.

“Ushtria serbe u vendos pikërisht në vendin ku është bërë edhe kjo fotografi, dhe ne u detyruam të largohemi nga shtëpitë tona për në fshatrat që të çonin rreth maleve të Qyqavicës, e që ne vazhduam në fshatin Beqiq, komuna e Vushtrrisë”, thotë Xani.

Të fundit

Të tjera nga rubrika